Kabineti qeveritar në Egjipt do të mblidhet në mënyrë urgjente më vonë gjatë ditës, për të diskutuar krizën që ka mbërthyer vendin, ku me qindra kanë mbetur të vrarë në përleshjet masive të mbështetësve të presidentit të rrëzuar Morsi me ushtrinë.
Ministri i brendshëm ka parashtruar një propozim për nxjerrjen jashtë ligji dhe shpërbërjen e Vëllazërisë Muslimane, me arsyetimin se kjo forcë politike ka inkurajuar protestat që kanë destabilizuar dhe përgjakur vendin.
Nëse një vendim i tillë do të miratohet, sipas ekspertëve Egjipti mund të përballet me një valë të shtuar dhune në ditët ose javët në vijim.
Ndërkohë, qeveria e përkohshme vazhdon të shtypë me ashpërsi të gjithë protestat, e me dhjetëra të vdekur po regjistrohen përditë që prej një jave në qytetet kryesore egjiptiane.
Televizionet ndërkombëtare, gjatë mbrëmjes treguan pamje të turmave në kryeqytetin Kajro, në Aleksandri, Helvan apo Minia në grumbullime masive, në shkelje të plotë me ligjin e shtetrrethimit të vendosur në vendin me 84 milionë banorë.
Më parë gjatë javës, ushtria ndërhyri dhe spastroi kampet e protestuesve, duke vrarë zyrtarisht 638 prej tyre, por sipas burimeve të Vëllazërisë Muslimane, numri i viktimave është mbi 3 mijë.
Presidenti i zgjedhur me votë, Mohammed Morsi, u rrëzua nga pushteti në fillim të muajit, për shkak të protestave kombëtare kundër pushtetit të tij autoritar dhe reformave në mbështetje të islamizimit të vendit.
Top Channel