Egjipt, al-Sisi: Ka vend për të gjithë

18/08/2013 20:30

Kreu i Forcave të Armatosura të Egjiptit ka dhënë një mesazh për mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi, ku u thotë se “në Egjipt ka vend për të gjithë”.

Gjeneral Abdul Fattah al-Sisi i nxiti ata të jepnin ndihmën e tyre “për të rindërtuar rrugët demokratike” dhe “për t’u integruar në procesin politik”. Por, ai paralajmëroi gjithashtu se ushtria nuk do të heshtë, nëse përballet me dhunën.

Komentet e tij vijnë teksa një numër mbështetësish të Morsi-t janë vrarë, kur njerëz të armatosur janë përpjekur t’i lironin ata nga paraburgimi, gjatë një transferimi nga një burg te një tjetër, në veri të Kajros.

Raportime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se 38 persona janë vrarë, në rrugë e sipër për në burgun “Abu Zabal” në provincën Qaliubiyah.

Komentet e al-Sisi ishin të parat në publik, që prej vrasjes së qindra njerëzve, kur forcat e sigurisë pastruan dy kampet e mbështetësve të Morsi-t, ditën e mërkurë.

Aleanca pro-Morsi dhe anti-Grushtit të Shtetit bën të ditur se do të vazhdojë me protestat në kryeqytet, pavarësisht raportimeve të para se organizimet ishin anuluar, për shkak të kërcënimit nga “snajperat” përgjatë rrugëve.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve MENA raportoi se 79 persona janë vrarë dhe 549 të tjerë janë plagosur, në dhunën e shpërthyer në mbarë vendin gjatë së shtunës.

Princi shkarkon shefin e TV, lidhje me Vllazërinë Muslimane

Një predikues i njohur kuvajtian, Tareq al-Suwaidan, është shkarkuar nga puna e tij si drejtor i kanalit televiziv fetar të Arabisë Saudite, për shkak të lidhjeve të tij me Vllazërinë Muslimane.

Pronari i televizionit, Princi Alwaleed bin Talal, tha se nuk ka vend për anëtarë të Vllazërisë Muslimane në biznesin e tij. Suwaidan ka qenë një kritik i ashpër i qeverisë së mbështetur nga ushtria në Egjipt.

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, ka dhënë mbështetje të fortë ndaj administratës së re egjiptiane. Princi Alwaleed e bëri publik vendimin në Twitter, ku postoi një kopje të letrës së shkarkimit, me arsyetimin se “Suwaidan kishte pranuar se ishte pjesë e lëvizjes terroriste Vllazëria Muslimane”.

Predikuesi e kishte identifikuar veten e tij si “një nga liderët e Vllazërisë Muslimane”, gjatë një leksioni në Jemen, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Top Channel