BE paralajmëron Egjiptin

18/08/2013 16:25

Bashkimi Europian ka vendosur të rishikojë ditët e ardhshme marrëdhëniet e tij me Egjiptin.

Në një deklaratë të përbashkët, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, dhe ai i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, u bënë thirrje të gjitha palëve në vendin e trazuar, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

“Për këtë qëllim, së bashku me shtetet e saj anëtare, BE-ja do të shqyrtojë urgjentisht në ditët në vijim marrëdhëniet e saj me Kajron dhe do të miratojë masa, që synojnë arritjen e këtyre qëllimeve”, thuhet në deklaratë.

Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, i çoi edhe më tej paralajmërimet e tij, duke profetizuar rrezikun e një lufte civile.

Për Egjiptin nuk ka “asnjë zgjidhje të besueshme, paqësore dhe të qëndrueshme”, me përjashtim të dialogut midis të gjitha palëve, si dhe një fillim të ri, që do të bashkojë të gjitha forcat politike, – tha Westerwelle, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Katarit, Muhamed Khalid bin al-Attiyah, në Berlin.

Por, me gjithë brutalitetin e forcave egjiptiane të sigurisë, mjaft ekspertë mendojnë se ndihmat ushtarake të Perëndimit për Egjiptin nuk duhen të ndërpriten. Pezullimi i pagesave, sipas tyre, do ta izolonte ushtrinë dhe do të përforconte kështu konfliktin.

Të tjerë ndajnë bindjen se një qëndrim pasiv përballë kësaj situate, si ai që po tregon Amerika, ndikon në rritjen e dhunës brutale.

“SHBA-ja dënon rreptësisht masat që kanë ndërmarrë qeveria kalimtare dhe forcat e sigurisë. Ne jemi kundër dhunës ndaj civilëve”, kaq ishte deklarata e shkurtër e Barak Obamës, për gjendjen në Egjipt, e pamjaftueshme sipas politologëve, kur bëhet fjalë për qindra të vrarë brenda disa ditësh.

“London Times” shkruan se “lejimi i heshtur i dhunës në botën islame kuptohet si mbështetje”. Uashingtoni ka refuzuar deri tani, që rrëzimin e Mursit ta quajë si grusht shteti, sepse kjo do të nënkuptonte ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave prej Kongresit amerikan.

Top Channel