Ban Ki-moon: Ndaloni vrasjet

18/08/2013 17:20

Zhvillimet në Egjipt e kanë alarmuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.

Numri një i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mendon se ndaj protestuesve është përdorur forcë e tepruar dhe se, në këtë moment, përparësia kryesore e egjiptianëve duhet të jetë parandalimi i vdekjeve të tjera.

“Nxis personat në rrugë dhe ata të veshur me autoritet, të bëjnë përpjekjet maksimale për vetëfrenim dhe për një çtensionim të menjëhershëm të situatës. Liderëve politikë u bëj thirrje të miratojnë një plan të besueshëm për ndalimin e dhunës dhe ripërtëritjen e procesit politik të rrëmbyer prej saj. Koha nuk pret”, deklaroi Ki-moon.

Komentet e Ban Ki-moon pasuan një tjetër ditë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, që bastisën xhaminë al-Fatah të Kajros, ku ishin ngujuar prej orësh qindra përkrahës të Vllazërisë Muslimane.

Të shtëna armësh mbushnin ajrin dje pasdite, kur forcat e sigurimit po shkëmbenin zjarr me snajperët, që kishin hipur në minarenë e xhamisë al-Fatah. Snajperët u kapën pasi u mbaroi municioni dhe mbështetësit e lëvizjes islamike u dorëzuan pak më vonë.

Vllazëria ishte përpjekur të organizonte protesta të reja kundër qeverisë së përkohshme, në xhaminë që ndodhet pranë sheshit Ramses.

Besohet se brenda saj ndodheshin edhe disa udhëheqës të lartë të grupimit, ndërsa i biri i liderit të tij, Mohamed Badie, u vra në përleshje pranë vendit të shenjtë.

Kryeministri i përkohshëm i Egjiptit, Hazem el-Beblawi, tha se qeveria e re do të punojë deri në frymën e fundit për të gjetur një zgjidhje demokratike për krizën, por jo me ata që përdorin mjete të dhunshme.

Pak përpara se të dilte me një deklaratë të tillë, kreu i ekzekutivit paraqiti një propozim për ta shpërbërë Vllazërinë Muslimane në rrugë ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA