Prishtina zyrtare ka reaguar pas vendimit të delegatëve të të ashtuquajturit Kuvend Autonom i Kosovës dhe Metohisë, për bojkotim të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se zërat aty-këtu që mund të jenë kundër zgjedhjeve në atë pjesë të Kosovës nuk kanë peshë dhe mbase dalin nga ata të cilët në një mënyrë kanë përfituar në forma të ndryshme nga pushteti ilegal.

Ajo ka kujtuar se këto zgjedhje mbështeten nga BE-ja, SHBA-ja e bota demokratike dhe institucionet komunale që do të dalin nga vota e 3 nëntorit do të kenë legjitimitet demokratik.

“Duke qenë se këto zgjedhje janë me mbështetje të BE-së, SHBA-së dhe botës demoratike, institucionet komunale që dalin nga këto zgjedhje do të kenë legjitimitet demokratik dhe jam e bindur se kjo është në interesin e të gjitha palëve. Ne kuptojmë vështirësit e tranzicionit meqenëse në këto katër komuna për herë të parë do të mbahen zgjedhje legale pas shumë vitesh, mirëpo ne i sigurojmë qytetarët tanë në veri se kjo është forma legjitime dhe demokratike për të zgjedhur organet komunale dhe se jemi të bindur se qytetarët serbë do të angazhohen për t’i zgjedhur kandidatët më të mirë. Kjo është kohë kur vlerat njerëzore dhe profesionale duhet të marrin prioritet në përcaktimin e votës qytetare ndërkohë që zërat aty-këtu që mund të jenë kundër zgjedhjeve nuk kanë peshë dhe mbase dalin nga ata të cilët kanë përfituar në forma të ndryshme nga pushteti ilegal”, theksoi Tahiri.

Delegatët e këtij kuvendi ilegal, apo siç e quajnë ata Kuvendi Autonom i Kosovës dhe Metohisë, kanë deklaruar se pjesëmarrja në zgjedhje është në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Serbisë dhe me rezolutën 12 44 të KS të OKB-së. Pavarësisht thirrjes së tyre për bojkot, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka thënë se presin një pjesëmarrje në zgjedhje të serbëve në katër komunat veriore të Kosovës.

“Proceset demokratike kanë rrjedhën e vet demokratike dhe sistemi demokratik është i vlerësuar pikërisht pse është i hapur për përfshirje sa më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor. Unë jam e bindur se do të ketë pjesëmarrje mjaft të mirë në këto katër komunat veriore, sepse nga bisedat e ndryshme që kemi pasur në tryeza të ndryshme ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë edhe qytetarët serbë nga pjesa veriore, është dëgjuar zëri i arsyes së tyre, të cilët kanë kërkuar normalitet, demokraci dhe jetë të qetë e të sigurtë në shtetin e Kosovës. Ne si Qeveri së bashku me të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët e veriut, po punojmë për ta ndërtuar një Kosovës euro-atlantike”, shtoi Tahiri.

Deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka mbajtur zgjedhje në komunat veriore të Kosovës pas disa përpjekjeve që patën rezultuar të pasuksesshme. Zgjedhjet në atë pjesë të Kosovës janë pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aty parashikohet që OSBE-ja të lehtësojë organizimin e tyre në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare.

Top Channel