SHBA-aleatët, pranë marrëveshjes për Egjiptin

17/08/2013 03:20

Dy javë përpara goditjes së përgjakshme në Kajro, administrata Obama, duke punuar me aleatët europianë dhe ata të Gjirit Persik, besoi se ishte shumë pranë një marrëveshjeje për t’i larguar mbështetësit islamik të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi nga kampet në rrugë, në këmbim të premtimit për mos përdorimin e forcës nga autoritetet e përkohshme të Egjiptit.

Por, qeveria e mbështetur nga ushtria refuzoi marrëveshjen dhe urdhëroi forcat e sigurisë të bastisnin protestuesit, një vendim që rezultoi me pasoja të rënda, me qindra të vdekur dhe përplasje në rrugë, që vazhduan edhe gjatë së premtes në kryeqytet.

Marrëveshja e ndërmjetësuar afro 2 javë më parë kërkonte deklarata për vetëpërmbajtje nga të dyja palët dhe një hetim për pretendimet dypalëshe për dhunë dhe keqtrajtime, tha Bernardino Leon, i dërguari i Bashkimit Europian në Egjipt. Ajo pritej të ishte një prelud për bisedimet mes Vllazërisë Muslimane dhe qeverisë.

Ish-zëvendës/presidenti i Egjiptit, Mohamed ElBaradei, u duk se do ta mbështeste marrëveshjen, por nuk mundi të bindte Gjeneral Abdel Fatah al-Sissi, kreun e ushtrisë, thotë Leon. ElBaradei dha dorëheqjen pas shpërthimit të dhunës.

Propozimi ishte rezultat i vizitave dhe thirrjeve prej javësh ndaj Kajros, nga një koalicion me gjasa diplomatik, që përfaqësonte mbështetësit dhe kundërshtarët e Morsi-t, por edhe partitë të deklaruara neutrale, të udhëhequra nga SHBA-të.

Veprimet diplomatike kishin për qëllim theksimin e kundërshtive të ashpra ndërkombëtare ndaj çdo veprimi të dhunshëm qeveritar kundër mbështetësve të Morsi-t, si dhe t’i tregonin Vllazërisë Muslimane se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpërndante kampet.

Së bashku me zëvendës/Sekretarin e Shtetit, William Burns, dhe ministrat e Jashtëm të Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Leon prezantoi një propozim për të frenuar protestat dhe për të nisur bisedimet mes Vllazërisë Muslimane dhe qeverisë, bënë të ditur pjesëmarrësit.

“Ishte një pako e thjeshtë, që mbështetej nga të katërt ne”, tha Leon në një intervistë, por një e tillë, që vështirë të ringjallet tashmë, pas ngjarjeve të fundit.

Top Channel