
Zbulohen fakte të reja që lidhen me ndërtesën e SHQUP-it e cila me dekretin ende të pa bërë publik të presidentit Nishani dhe vendimin e Këshillit të Ministrave kalon në seli të PD-së.
Mësohet se misioni i OSBE-së në Tiranë ka hyrë në tratativa me qeverinë shqiptare në fund të vitit 2011 për ta marrë SHQUP-in dhe shndërruar në seli të OSBE-së. Zyra e kësaj organizate në Tiranë ka patur një ofertë konkrete për qeverinë e zotit Berisha ku përfshihej modernizimi i godinës, përfshi gadishmërinë e pagimit të një qiraje mijëra euroshe për çdo muaj.
Tratatativat e OSBE-së për këtë çështje mësohet se kanë zgjatur dy vjet, por në fund kanë rezultuar të pasuksesshme. Përgjigja negative e qeverisë shqiptare për OSBE-në ishte argumentuar me faktin se SHQUP-i ishte një pronë e ushtrisë, ajo kishte vlera historike dhe përfshihej në planet e ushtrisë në kuadër të NATO-s.
Top Channel kontaktoi zyrën e OSBE-së në Tiranë për të komentuar rreth kësaj çështjeje, por ende nuk kemi një përgjigje. Kërkesa e OSBE-së dhe përgjigja refuzuese e qeverisë shqiptare shpalosin një kontradiktë të hapur me qëndrimin e kryeministrit në detyrë Sali Berisha, i cili në mbledhjen e së premtes të qeverisë deklaroi: “E vërteta është se ajo që quhet Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, të paktën prej 12 vjetësh ka humbur çdo lloj funksioni qendror. Ajo është shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe ceremonive mortore dhe kjo është evidente për çdo njeri që ka pasur rastin të kalojë afër saj. Edhe në rast se aty ka pasur aktivitet, ka pasur dasma apo ceremoni mortore.”
Baza ligjore e dekretit
Pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave, mbetet ende i pazbuluar një fakt tejet i rëndësishëm në gjithë këtë histori. Dekreti i presidentit Bujar Nishani, i cili në kapacitet e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura pranoi nxjerrjen jashtë inventarit të ushtrisë godinën e SHQUP-it, pavarësisht kundërshtimit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Gjunkshit.
Ky dekret ka mbërritur në Ministrinë e Mbrojtjes pasditen e së enjtes, por nuk është publikuar ende siç ndodh zakonisht në faqen zyrtare të Presidencës.
Pritet me interes të mësohet se cila ka qënë baza ligjore të cilës Presidenti Nishani i referohet në nënshkrimin e këtij dekreti. Konstitucionalistët pohojnë se nëse baza ligjore e përdorur nuk sjell argument të fortë juridik për këtë veprim, atëherë lind nevoja e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese të dekretit të presidentit, nëse iniciohet dërgimi i këtij rasti në këtë gjykatë.
Top Channel