Agjencia e Sigurisë Kombëtare u përpoq gjatë së premtes të mbronte operacionet e saj në lidhje me programet sensitive të spiunazhit, pas zbulimeve se ajo ka shkelur edhe rregullat e saj të privatësisë në afro 3000 raste, të bërë publike nga Edward Snowden.
Drejtori i Pajtueshmërisë në NSA, John DeLong, tha në mënyrë të vazhdueshme, përmes një video-konference me reporterët, se 2776 shkeljet nuk reflektuan asnjë përpjekje me paramendim për të shkelur privatësinë e amerikanëve.
“NSA ka një politikë me zero-tolerancë për sjelljet e pahijshme me paramendim”, u shpreh DeLong. “Asnjë nga incidentet e përfshira në dokumentet e publikuara nuk kanë qenë të qëllimshme”.
DeLong raportoi gjithsesi dy shkelje të qëllimshme gjatë dekadës së kaluar. Ai nuk dha detaje të mëtejshme. “Askush në NSA nuk mendon se një gabim është në rregull, por këto lloj raportesh janë dizenjuar dhe gjeneruar për t’u siguruar se ne e kuptojmë kur ndodhin gabimet”, tha ai.
Komentet e DeLong ishin përpjekja më e drejtpërdrejtë e NSA-së deri më sot për t’iu kundërvënë shqetësimeve në lidhje me aktivitetet e saj të spiunazhit, si dhe efektet e tyre mbi amerikanët, që kur ish-kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, nisi të bënte publike dokumente të klasifikuara.
Raporti i auditit të brendshëm në lidhje me shkeljet e privatësisë është zbuluar nga “Washington Post” natën e së enjtes. Ai analizonte tipet e ndryshme të shkeljes së politikave apo ligjeve për vitin kalendarik, që përfundonte në mars 2012.
Pjesa më e madhe erdhi nga çështjet ku NSA vazhdonte të monitoronte të huajt përmes celularëve të tyre, të përdorur pasi kishin shkelur në territorin e SHBA-ve.
“Këto incidente janë kryesisht të pashmangshme”, thuhej në raportin e auditit. NSA tha se rritja e madhe në këto tipe incidentesh mund t’i atribuohet rritjes së udhëtimeve të kinezëve për të vizituar miqtë në SHBA, për festën e Vitit të Ri Hënor.
Top Channel