Militantë të dyshuar islamik kanë sulmuar një qytet në veri-lindje të Nigerisë, duke lënë të vdekur të paktën 11 persona.
Dëshmitarë thanë se disa agresorë qëlluan ndaj civilëve dhe policisë në Damboa, rreth 85 km nga kryeqyteti i shtetit Borno, Maiduguri. Zona në fjalë është një fortesë e grupit militant “Boko Haram”.
Grupi akuzohet për vdekjen e 44 personave në një xhami pranë qytetit të Konduga-s, të dielën e kaluar.
Zyrtari lokal, Ayamu Lawan Gwasha, tha se forcat e sigurisë zmbrapsën agresorët, të cilët sulmuan stacionin e policisë dhe një territor ushtarak në Damboa, natën e së enjtes.
Fermeri Mustapha Aji tha se militantë të tjerë qëlluan për vdekje civilë dhe i vunë zjarrin rreth 20 shtëpive. Ai tha për Associated Press se rezidentët iu frikësuan një sulmi, pas vdekjeve në Konduga, duke kërkuar më shumë përforcime sigurie, por ndihma nuk erdhi.
Një tjetër dëshmitar, studenti Adamu Isah, fajësoi për sulmet luftëtarët e “Boko Haram”.
Korrespondentët thonë se detajet e sulmit kanë pasur vështirësi për t’u deklaruar, për shkak të “blackout”-it në komunikacion të vendosur nga ushtria.
Në maj, Nigeria deklaroi gjendjen e emergjencës në 3 shtete veri-lindore, në mënyrë që të luftonte militantët.
Të mërkurën, ushtria tha se kishte vrarë liderin e dytë në komandë të “Boko Haram”, Momodu Bama, i njohur gjithashtu me pseudonimin “Abu Saad”. Gjithsesi, nuk ka pasur asnjë informacion të pavarur mbi vdekjen e tij, ndërkohë që “Boko Haram” ende nuk ka komentuar për këtë informacion.
“Boko Haram” po lufton për të themeluar shtetin islamik në rajonin kryesisht musliman të Nigerisë veriore. Mijëra njerëz janë vrarë, që prej fillimit të kryengritjes në 2009-n.
Top Channel