“Denonco ndërtimet pa leje”

17/08/2013 00:00

Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama lançoi inisiativën e tij më të
fundit, që lidhet me ndërtimet pa leje në territorin e Shqipërisë.

Një temë kjo tejet e preferuar dhe e kthyer në një prej sfidave që Edi Rama ngulmon se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të bërë ndryshimin e kësaj situate. Stoprrenimit.com kjo është adresa në internet ku cdo kush sipas Edi Ramës ‘mund të kthehet në kontributor në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj’.

“Celulari juaj shkruan Rama në këtë faqe internet, mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Më tej Rama shpjegon rëndësinë e përfitmit të cdo lloj informacioni nga terreni kur thotë: “Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”.

Në këndvështrimin e kryeministrit të zgjedhur Edi Rama “kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Në fund të mesazhit Rama thekson rëndësinë e kësaj inisiative e cila mund të jetë funksionale vetëm atherë nëse pjesë e saj bëhen qyetarët.

“Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër,” shkruan Edi Rama.

Top Channel