Vrasja në Tiranë, flet dëshmitarja okulare

16/08/2013 00:00

“Për pak sa nuk mbeta viktimë e asaj ngjarjeje të tmerrshme. Ai më
drejtoi pistoletën dhe më tha të ikja, se ndryshe do të më vriste. U
tmerrova dhe akoma nuk e kam kaluar atë që më panë sytë atë ditë”.

Kështu shprehet Flora Bardhi, pastruesja e hotelit, e cila mbetet edhe dëshmitarja kryesore e ngjarjes së rëndë, ku Agim Emini para se të vriste veten, plagosi rëndë të dashurën e tij, 21-vjeçaren Ana Sulçe.

Bardhi fillimisht heziton që të flasë, sepse nuk do që të rikujtojë ato momente që ka përjetuar. “Ik prej këtu! Nuk kam dëshirë që të flas. Ato që pashë atë ditë, i kam thënë në polici. Më lini të qetë, sepse jam shumë e tronditur dhe nuk kam dëshirë të flas”, shprehet Bardhi, teksa futet në një dhomë të vogël, ngjitur me sportelin. Por pas këmbënguljes, ajo nis të tregojë ngjarjen e rëndë. Fjalët i rrjedhin natyrshëm, ndonëse ishte e lodhur dhe e frikësuar.

Si ndodhi ngjarja?

Ai personi kishte pesë ditë që rrinte te ne. Ka qëndruar vetëm në hotel dhe vajzën e kisha parë për herë të parë atë ditë. Fillimisht çifti u ul për të pirë kafe aty jashtë, ndonëse ne nuk kemi lokal, përveç një tavoline. Burri piu një birrë, ndërsa ajo një lëng frutash. Nuk vura re që ata të grindeshin me njëri-tjetrin. Pas disa minutash vajza u ngjit lart. Pas saj shkoi edhe ai.

Dëgjuat zhurma lart?

Po, dëgjova ulërima. Ata po ziheshin, por nuk ndërhyra, sepse ishte çështje e tyre. Gjithçka ka ndodhur brenda 5 minutave. Në këtë kohë vajza ka dalë nga dhoma duke përplasur derën. Thërriste për ndihmë, por Emini e ndiqte nga pas. Ajo nuk ndalonte, e për pasojë ai qëlloi me pistoletë. Plumbat më erdhën deri këtu poshtë në katin e parë.

Ju çfarë bëtë në këto momente?

U ngjita lart që të shikoja se çfarë po ndodhte. Kur çfarë të shikoj. Ai e kishte kapur vajzën dhe e mbante të shtrënguar prej fyti. I kërkova që ta lëshonte, por ai më kërcënoi. Më tha të ikja se ndryshe do të më vriste.

Ikët?

Po. Ika, se pata frikë se ai do të më qëllonte, sepse ishte shumë i acaruar. U futa në një dhomë që shërben për hekurosjen e çarçafëve të hotelit. Mora bashkëshortin tim në telefon dhe ai ishte afër punës sime. Nuk vonoi që të vinte. Sa mirë që erdhi se do të isha çmendur.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Në momentin që vajza kishte tentuar t’i ikte prej duarsh, ai e qëlloi me pistoletë. Plumbi e kapi në bark dhe ajo ngeli e shtrirë për tokë. Dikush kishte marrë policinë në telefon, por unë nuk e di se kush e bëri këtë. Ajo erdhi shumë shpejt. Pas të shtënave të para, pas disa minutash dëgjova një tjetër të shtënë. Kur dola jashtë nga dhoma ku isha futur, pashë që ai kishte vrarë veten. Policia u mor me gjithçka.

Sa ditë kishte që rrinte në këtë hotel Emini?

Kishte pesë ditë që rrinte këtu. Hynte dhe dilte shpesh gjatë ditës. Nuk kishte marrëdhënie miqësore me personelin. Thjesht na përshëndeste dhe kaq. Ai ka ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri dhe arsyen nuk e di se përse vinte këtu. Atë vajzën nuk e kisha parë asnjëherë këtu. Vetëm atë ditë e vura re që Agim Emini po shoqërohej me atë vajzën.

Keni frikë?

Si nuk kam frikë. Vij këtu dhe punoj për 500 lekë dita dhe për aq pak mund të edhe të vritesh. Oh Zot! Kur i mendoj ato momente, më ikën mendja. Kanë qenë çaste të frikshme. Jam shumë e lodhur. Kam qenë në polici për orë të tëra. Ata më kanë marrë në pyetje dhe nuk kam pikën e fuqisë. Sonte nuk kam vënë gjumë në sy, sepse më kujtoheshin ato momentet kur ai më drejtoi pistoletën.

Do të vazhdoni që të punoni më këtu?

Do të vazhdoj, sepse nuk kam ku të shkoj. Unë nuk e kam punë të përditshme këtë, po vi sa herë që më thërret pronari. Sot (dje) nuk isha në gjendje që të vija në punë, por çfarë të bëj se ai m’u lut që të vija. Nuk mund t’i thosha jo, sepse më erdhi keq dhe ai kishte nevojë për mua.

 Policia dyshon se shkaku i ngjarjes të jetë xhelozia

Burime nga policia bëjnë me dije se pista e hetimit vazhdon që të mbetet ajo e xhelozisë. Thuhet se 21-vjeçarja Ana Sulçe, prej disa kohësh punonte në Maqedoni në lokalet e natës. Aty dyshohet që të jetë njohur edhe me të “dashurën” e tij dhe marrëdhënia ka vazhduar edhe pasi e reja është kthyer në Shqipëri. Po sipas grupit hetimor, dyshohet se Agim Emini e ka pritur vajzën për ditë me radhë dhe ajo nuk i ka shkuar, duke kërkuar që marrëdhënia e tyre të përfundonte me aq. Edhe në dhomë për të njëjtën arsye dyshohet se janë grindur. Ai i ka kërkuar llogari se përse nuk kishte shkuar që ditën e parë, kur ai ndodhej në Shqipëri, por ka qenë e kotë. Sulçe ka kërkuar që marrëdhënia e tyre intime të përfundojë, por 52-vjeçari nuk e ka pranuar ndarjen. Madje ai i ka thënë se nëse ajo tenton që të largohet prej tij, atëherë ai do ta vriste, duke i nxjerrë pistoletën. Në një situatë të tillë, vajza është alarmuar dhe ka kërkuar ndihmë, por askush nuk ka guxuar që t’i afrohet. Ana Sulçe, për të shpëtuar, ka dalë jashtë dhomës së hotelit, por ai e ka kapur sërish, duke i vënë pistoletën në kokë. E reja ka mundur sërish që të shpëtojë prej tij, por në distancë ai e ka qëlluar dhe plumbi e ka prekur në pjesën e barkut. Ndërkaq, familjarët e viktimës nuk kanë dashur që të dëshmojnë rreth krimit makabër. Ata nuk kanë dashur të japin arsyet e sakta të vizitës së 52-vjeçarit në Shqipëri. E vërteta e asaj që ka ndodhur në dhomën e hotelit mbetet për t’u zbardhur vetëm nga dëshmia e 21-vjeçares. Grupi hetimor nuk ka shkuar as dje në Spitalin Ushtarak që ta merrte në pyetje, për faktin se ajo ndodhet ende në gjendje të dobët shëndetësore, ndonëse ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e të plagosurës nuk kanë mundur që ta ndihmojnë policinë, rreth ngjarjes. Ata nuk kanë qenë në dijeni të marrëdhënies mes 21-vjeçares dhe shqiptarit të Maqedonisë.

Dëshmia e 21-vjeçares: Mos u merrni me jetën time personale


E plagosura vazhdon të mjekohet në pavijonin e kirurgjisë në Spitalin Ushtarak. Ajo ka dalë nga rreziku për jetën. Nuk ka dëshirë që të flasë për atë që ka ndodhur paraditen e 14 gushtit, në hotelin pranë vilave gjermane, në Sauk të Tiranës. “Nuk ka ç’ju duhet me jetën time personale. Më lini të qetë”, shprehet 21-vjeçarja, teksa dergjet në shtrat.

Ndërsa e afërmja e saj, e cila nuk pranon që të identifikohet, është mjaft e indinjuar me ato që janë shkruar në media. Sipas saj, motivi i plagosjes dhe vetëvrasjes nuk është xhelozia, duke kërkuar sqarimin e lajmit. Vajza, e pyetur se përse ndodhej në një dhomë hoteli me 52-vjeçarin Agim Emini, shqiptarin nga Maqedonia, nuk preferon të flasë. Thjesht pohon se mediat dhe policia ka gabuar në dhënien e versionit.

Ndërkohë, paraditen e djeshme, familjarët e Agim Eminit erdhën nga Tetova e Maqedonisë për të marrë trupin e njeriut të tyre nga morgu. Ndonëse mediat u interesuan për ndonjë deklaratë, ata nuk pranuan të komentojnë për njohjen e viktimës me 21-vjeçaren nga Çorovoda, Ana Sulçe. Ata janë larguar pa humbur shumë kohë në Tiranë së bashku me trupin, për të bërë të mundur varrimin e Eminit në vendin e tij të lindjes, Tetovë.

Top Channel