Dogana e Kosovës vendosë procedura të reja të mbikëqyrjes së importit të
mallrave për të gjitha bizneset, duke kërkuar garanci bankare në vlerën
100 për qind të mallit.

Sipas zyrtarëve të doganës kjo vjen pasi teknikisht është bërë e pamundur mbikëqyrja e procesit të hyrje – daljeve të mallit nga depot doganore, në mënyrën siç ka qenë deri më tani. Ndaj këtyre procedurave me ndikim ekonomik janë ankuar bizneset e importit të mallrave në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu nga ana e Shqipërisë ka pasur ankesa se garancia bankare paraqet barrierë shtese ndërsa bizneset e importit në Kosovë janë ankuar se kjo masë vështirëson edhe më shumë të bërit biznes. Kjo situatë ka shtyrë Odën Ekonomike që të kërkojë sqarime shtesë nga Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës duket se e ka bindur Odën Ekonomike për vazhdimin e procedurave të parashikuara por me disa ndërhyrje Në përgjigjen e doganës thuhet se do të ulet vlera e garancisë bankare për mallrat që kalojnë tranzit nga 30% në 20% të vlerës së mallrave.

Gjithashtu Dogana pajtohet që të lirojë garancinë bankare në momentin e deklarimit të mallrave për zhdoganim në zyrat e brendshme doganore. Po kështu është shtyrë afati për garancinë bankare në vlerën 100 për qind të mallit deri në nëntor për ato kompani, të cilat kanë bërë planifikimet buxhetore.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, kjo masë nuk është selektive dhe vlenë për të gjitha bizneset ndërsa kur është fjala te raporti tregtar Kosovë-Shqipëri sipas Gërxhaliut aktualisht mungon këmbimi i informacioneve.

Këtë e konfirmon edhe kryeshefi i agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë Valdet Gjinovci. Duke folur  për bllokimin e eksportit të një sasie nga Kosova në Shqipëri, Gjinovci ju jep të drejtë autoriteve shqiptare dhe kritikon kompaninë nga Kosova e cila sipas tij ka tentuar të kryejë eksportin e mallit  në kundërshtim me udhëzimet e Minsitrisë së Bujqësisë në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një sasi mishi në vlerë 1018 kg e cila është bllokuar në pikën doganore në Morinë të Kukësit pasi automjtetet transportuese të mishit nuk kanë qenë të pajisura me termograf dixhital.

Top Channel