Serbët në veriun e Kosovës shprehen të painformuar lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Prishtinës dhe Beogradit.
Adrijana Hoxhiç, shefe e Zyrës Administrative në Veri, në një debat ka theksuar se qytetarët serbë të veriut, sa më tepër afron nëntori, interesohen për më tepër sqarime, rreth asaj se a duhet apo jo të dalin në zgjedhje.
Sipas saj, këto paqartësi kanë ardhur si rezultat i ngatërresave; Beogradi bënë thirrje për dalje në zgjedhje, ndërkaq ka grupe njerëzish në veri, që bëjnë thirrje për bojkotim të tyre.
Hoxhiç ka thënë se Beogradi është i vendosur për implementim të marrëveshjes dhe se zgjedhjet në veri i ka cilësuar si historike, për të gjithë qytetarët që jetojnë atje.
“Veriu i Kosovës, pas marrëveshjes së Brukselit, do të them që nuk ka dyshime të tjera, përveç konfuzionit që rritet çdo ditë. Çdo gjë funksionon sikurse duhet. Këto ditë kemi shumë qytetarë, që vijnë në zyrën tonë. 100 njerëz vijnë brenda ditës për shërbime të ndryshme, por ka edhe shumë prej tyre, që pyesin dhe kërkojnë mendimin tonë, nëse duhet të dalin në zgjedhje apo jo”, tha Adriana Hoxhiç, shefe e Zyrës Administrative në Veri.
Sipas saj, në rast të mosdaljes së serbëve në zgjedhje, do të ketë pasoja për të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Kosovës. Hoxhiç ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetare në veri, duke thënë se ka mbështetjen e qytetarëve. Ndërkohë, Nexhmedin Spahiu, analist, thotë se nuk do të ketë bojkotim të zgjedhjeve.
“Nuk besoj se do të ndodhë bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve. Mund të ndodhë një pakicë, por në demokraci mjafton që të jetë shumica, dhe unë mendoj që do të jetë një shumicë, e cila do të krijojë një legjitimitet në vend”, tha Nexhmedin Spahiu, analist.
Por, juristi Marko Jakshiç shpreh shqetësimin se qytetarët në veri janë të hutuar pas marrëveshjes dhe të frikësuar për zhvillimet e mëtejshme. Ai ka thënë se zgjedhjet do të mbahen dhe se bojkotimi i tyre është i pamundur, pasi, sipas tij, nuk ka më alternativë tjetër.
Ndërkaq, sipas Nenad Maksimoviç, përfaqësues i Organizatës Joqeveritare “Qendra për paqe dhe tolerancë”, serbët në veri nuk kanë mbështetje, as nga Beogradi e as nga Prishtina, dhe se, sipas tij, nuk mund të ketë vetorganizim pa mbështetje. Ai ka thënë se marrëveshjet nuk mund të imponohen dhe se me këtë do të ndryshojë jeta e serbëve në veri për keq.
Top Channel