Reagimet për krizën egjiptiane

16/08/2013 00:00

Presidenti i Egjiptit, Adli Mansur, kundërshtoi deklaratën e presidentit të SHBA-së, Barak Obama, i cili dënoi përdorimin e forcës kundër civilëve dhe kërcënoi me ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak.

Përmes një deklarate të lëshuar në orët e para të së premtes, presidenca egjiptiane i cilësoi fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë “të pabazuara në fakte, që nuk do të bëjnë veçse do t’i japin zemër grupeve të armatosura”.

Presidenti francez, Fransua Holond, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, bënë thirrje për konsultime urgjente për krizën. Diplomatët europianë do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar përgjigjen e tyre, disa lanë të kuptohet se ndihma europiane për Egjiptin do të bllokohet.

Senatori republikan Xhon MekKein, duke folur për programin e BBC-së “Njuznajt” tha se rrëzimi i Mursit ishte grusht shteti dhe presidenti Obama duhet të ndërpresë ndihmën për Egjiptin. Deri tani Uashingtoni ka qenë i kujdesshëm për të mos përdorur fjalën grusht shteti sepse sipas ligjeve amerikane kjo do të thotë ndalim i menjëhershëm i ndihmës për Egjiptin.

Megjithatë, ka nga ata vende që mbështesin qeverinë e përkohshme të Egjiptit. Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, përmes një deklarate, tha se “vendi, populli dhe qeveria do të qëndrojnë në krah të vëllezërve egjiptianë kundër terrorizmit”. Mësohet se ministritë e Jashtme të Spanjës, Gjermanisë, Zvicrës, Italisë dhe Rusisë kanë këshilluar turistët të mos udhëtojnë në Egjipt.

Top Channel