Kryeministri libian, Ali Zeidan, ka kërcënuar me përdorimin e forcës ndaj rojeve, që janë duke protestuar në disa nga portet e naftës në vend, prej disa javësh. Zeidan akuzoi ata se po përpiqen të shesin naftën jashtë kanaleve zyrtare.
Ai tha se çdo anije që i afrohet porteve, që nuk ka një kontratë me kompanitë zyrtare të naftës në Libi, do të “bombardohet nga deti apo nga ajri”.
Zyrtarët thanë se protestuesit kanë shkaktuar një rënie të eksporteve të naftës libiane, si dhe po dëmtojnë ekonominë e vendit.
“Nëse bllokada e këtyre terminaleve vazhdon, shteti do të detyrohet të përdorë pushtetin dhe të gjithë forcën në dispozicion, përfshi edhe ushtrinë”, paralajmëroi Zeidan.
Ai shtoi se portet e Zeitunia, Brega, Ras Lanouf dhe Sedra janë mbyllur nga veprimet e protestuesve.
Ministri i naftës, Abdelbari al-Arusi, tha se Libia ka humbur afro 1,6 miliardë dollarë të ardhura, që prej 25 korrikut, për shkak të ndërprerjes së punës.
Prodhimi i naftës në Libi ka rënë, nga kulmi prej 1,6 milionë fuqi në ditë, në rreth 650 mijë të tilla, niveli më i ulët ky, që prej trazirave që çuan në rrëzimin e kolonel Muammar Gaddafi-t në 2011-n.
Kjo situatë ka ushtruar presion edhe në çmimet e naftës në tregjet globale, gjatë javëve të fundit.
Top Channel