Liban, shpërthim në Bejrut, 22 viktima

16/08/2013 00:00

Të paktën 22 persona janë vrarë nga një shpërthim i fuqishëm në periferinë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, teksa mbi 200 të tjerë raportohen të plagosur. Zona në fjalë njihet si fortesë e lëvizjes së militantëve Shia, Hezbollahut.

Shpërthimi ndodhi në një pjesë të mbipopulluar të kryeqytetit, ndërkohë që raportohen edhe dëmtime të rënda sa i përket ndërtesave përreth dhe makinave. Shpërthimi besohet të ketë lidhje me konfliktin në Siri, që ka përkeqësuar tensionet sektariane në Liban.

Shtëllunga tymi janë vënë re në vendngjarje, midis distrikteve Bir Abed dhe Rweiss të qytetit. Zyrtarët libanezë thanë se shpërthimi ishte si rezultat i një autobombe.

Vendi i ngjarjes është shumë pranë kompleksit Sayyed al-Shuhada, ku Hezbollahu mban zakonisht mitingje meshash, edhe pse nuk besohet të ketë qenë ai objektivi i sulmit.

Një i plagosur në vendin e shpërthimit tha për agjencinë e lajmeve Reuters: “Nuk e di çfarë ndodhi. Ishte si të ishim tronditur nga një tërmet i fuqishëm”. Kryeministri në largim i Libanit ka deklaruar të premten si ditë zie për viktimat.

Mendohet që shpërthimi të ketë qenë pasojë e përfshirjes së Hezbollahut në konfliktin e Sirisë. Luftëtarë të këtij grupi militantësh ishin decizivë në fitoren strategjike të forcave të qeverisë siriane në Qusair, shumë pranë kufirit me Libanin, në fillim të qershorit.

Politikanët e Hezbollah kanë denoncuar këtë ngjarje si “sulm terrorist” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje të mbështetësve të tyre.

Një grup me emrin “Battalions of Ayesha” kanë marrë përsipër sulmin. Në një video të publikuar online, ata deklarojnë indirekt se kanë qenë autorë edhe të një tjetër shpërthimi bombe në zonën përreth, muajin e kaluar, ku u plagosën me dhjetra persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA