Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit duhet të mundësohet një proces
zgjedhor i cili do të vendoset nga qytetarët e Kosovës me të drejtë
vote, dhe që rezultati të jetë i pranueshëm nga çdo subjekt politik.
 

Këtë mesazh e ka dhënë kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Isa Mustafa, gjatë takimit me kandidatët e LDK për kryetar të komunave.
 
“Për ne është me rëndësi themelore që zgjedhjet të sigurojnë një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve; që zgjedhjet të jenë demokratike; të vëzhgueshme mire edhe nga vëzhguesit e brendshëm dhe ndërkombëtarë”, tha Mustafa.
 
Mustafa, aktualisht është edhe Kryetar i Komunës së Prishtinës, por gjatë këtij takimi ai nuk ka bërë ndonjë koment nëse do të kandidojë sërish për të parin e kryeqytetit të Kosovës.
 
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës deklarojnë se brenda pak ditësh mund të dihet edhe emri i kandidatit për Prishtinën, pasi deri më tani janë caktuar të gjithë kandidatët në komunat tjera.
 
“Po përpiqemi që të mbyllim të gjitha bisedat me degët që të diskutojmë përfundimisht problemin në Kryesinë e LDK-së dhe besoj që brenda pak ditësh do të japim edhe kandidatin për Prishtinën”, u shpreh Kujtim Shala, anëtar i kryesisë së LDK-së.
 
Deri më tani, nga partitë parlamentare, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nominuar Besnik Tahirin në garën për kryetar të Prishtinës, kurse përveç LDK-së, as PDK dhe Vetëvendosje nuk kanë bërë nominimet e tyre

Top Channel