Holandë, përcillet me nderime Princi Friso

16/08/2013 17:35

Holanda shoqëroi për në banesën e fundit princin Johan Friso, i cili ndërroi jetë pas një viti në koma, ku ishte futur pas një aksidenti tragjik në një resort alpin.

I përfshirë nga një ortek ndërsa bënte ski në vitin 2012, Friso nuk u rikuperua dot më kurrë dhe u shua më parë gjatë javës në moshën 44-vjeçare.

Princi do të prehet pranë fshatit të vogël të Lage Vuursche, pranë një kështjelle në të cilën nëna e tij, Mbretëresha Beatris, ka vendosur që të qëndrojë pas abdikimit të fronit në favor të vëllait të madh të Friso, tashmë mbretit Willem-Alexander.

Ceremonia mortore e Princit Friso, me kërkesë të familjes mbretërore mbeti private dhe vetëm 80 të ftuar ishin të pranishëm, përfshi kumbarin e tij, Mbretin Harald V i Norvegjisë.

Një përkujtimore publike është planifikuar të mbahet më vonë gjatë vitit, ndërsa deri atëherë, online është hapur një libër zyrtar ngushëllimesh.

Top Channel