Të paktën 38 persona mbetën të vrarë në Egjipt vetëm ditën e premte, ndërsa mbështetës të presidentit të rrëzuar të Egjiptit, Mohammed Morsi, vazhduan përplasjet me forcat ushtarake që kanë marrë kontrollin e vendit.
13 persona mbetën të vrarë në Kajro, deklaruan zyrtarisht burimet shëndetësore.
Shumica e viktimave ndodhej në sheshin Ramses, në qendër të kryeqytetit, ku janë përqendruar protestat anti-qeveritare.
Dy ditë më parë, ushtria ndërhyri dhe spastroi kampet e protestuesve, duke vrarë zyrtarisht 638 prej tyre, por sipas burimeve të Vëllazërisë Muslimane, numri i viktimave është mbi 3 mijë.
Jashtë Kajros, 12 viktima u regjistruan këtë të premte në qytetet e Deltës së Nilit dhe 13 të tjerë në zonat e tjera të Egjiptit.
Përballë situatës gjithmonë e më të përgjakshme dhe jashtë kontrollit, autoritetet bënë me dije se edhe policia është autorizuar të përdorë plumba të vërtetë për shpërndarjen e turmarve.
Egjipti, KS bën thirrje për vetpërmbajtje
Këshilli i Sigurisë së OKB-së u mblodh në një sesion emergjence me dyer
të mbyllura, në New York, për të diskutuar mbi dhunën në Egjipt. Në fund
të tij u konkludua për t’i bërë thirrje të gjitha partive në Egjipt të
vetëpërmbaheshin.
Ky takim vjen një ditë pasi të paktën 638 persona mbetën të vdekur, kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve të mbledhur në Kajro, të thirrur nga Vllazëria Muslimane prej javësh, të cilët kërkonin rikthimin e presidentit Mohammed Morsi në krye të shtetit, pas rrëzimit nga ushtria në korrik.
Pavarësisht thirrjeve të jashtme për të ulur tensionet, Gehad El-Haddad, një zëdhënës i Vllazërisë Muslimane, shkroi në Twitter për fillimin e protestave anti-qeveritare gjatë së premtes, nga të gjitha xhamitë në Kajro, për t’u mbledhur në një miting masiv në sheshin Ramses, në qendër të kryeqytetit. Ai e quajti atë që do të vijë në vijim si “E premtja e zemëratës”.
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, dënoi dhunën e ushtruar dhe anuloi ushtrimet e përbashkëta me Egjiptin, të programuara në fund të këtij muaji. Ai tha se bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë, ndërkohë që vriten civilët. Gjithsesi, ai u ndal shumë pak në lidhje me prerjen e fondit ndihmë prej 1,3 miliardë dollarë, që SHBA-të ua japin Egjiptit.
Egjipti ndodhet aktualisht në gjendje të jashtëzakonshme emergjence. Ministri i Brendshëm i dha policisë autorizim për të përdorur municione reale për vetëmbrojtje, apo kur ndesheshin me sulme ndaj ndërtesave të qeverisë.
Shumë zona janë prekur anembanë vendit nga patrullimet policore. Ndërkohë që SHBA-të kanë paralajmëruar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë në Egjipt, ndërsa ata që ndodhen atje duhet të largohen sa më parë.
Në dhunën e fundit të së enjtes, qindra anëtarë të Vllazërisë i vunë zjarrin një ndërtese qeveritare pranë Kajros. Pamjet e televizioneve lokale treguan zjarrëfikësit duke nxjerrë punonjësit nga ndërtesa, ku gjenden zyrat e qeverisë lokale të Gizas.
Televizioni shtetëror, “Nile News”, raportoi gjithashtu përplasje mes anëtarëve të Vllazërisë dhe rezidentëve në një periferi të qytetit të dytë më të madh të Egjiptit, Aleksandri. 7 ushtarë egjiptianë janë qëlluar për vdekje nga një i armatosur ende i paidentifikuar, pranë qytetit të El Arish, në rajonin Sinai, sipas forcave të sigurisë.
Qeveria njoftoi se 638 njerëz kanë vdekur në të gjithë vendin, që prej së mërkurës, por numri përfundimtar i viktimave mund të jetë shumë herë më i madh.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, konfirmoi se SHBA-të do të ruajnë lidhjet ushtarake me Egjiptin, pavarësisht kritikave të presidentit Obama, i cili ndër të tjera theksoi se “nuk mbajmë anën e asnjë pale politike në vend”. Por, Hagel tha se dhuna po vendoste “elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit afatgjatë të mbrojtjes në rrezik”.
Edhe figura të tjera ndërkombëtare kanë dënuar dhunën e së mërkurës. Navi Pillay, Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, kërkoi një hetim të pavarur dhe të paanshëm për atë çfarë ndodhi.
“Numri i njerëzve të vrarë apo të plagosur, qoftë edhe bazuar mbi shifrat e qeverisë, tregon një përdorim të tejskajshëm apo ekstrem të forcës ndaj demonstruesve”, tha Pillay.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, thirri ambasadorin francez në Egjipt, duke i thënë se “duhet bërë gjithçka, për të shmangur një luftë civile”.
Top Channel