
Deputeti socialist Erion Braçe kërkon që dekreti Presidentit Nishani për
kalimin e SHQUP-it në godinë të Partisë Demokratike të bëhet publik.
Deri në këtë moment, ky dokument kaq i rëndësishëm, thotë Braçe, akti i ndërmarrë nga niveli më i lartë i shtetit shqiptarë, nuk është bërë publik.
Sipas tij deputetit socialist, ky është një problem shumë serioz”. Qëndrimin kundërshtues të gjeneral Gjukshit të faktuar nga korrepondenca e bërë publike prej Top Channel, Erion Braçe e shikon si një përplasje mes ushtarakëve dhe atyre që marrin vendime politike.
“Jemi përballë një çarje shumë të madhe në nivelin e drejtimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.Për më tepër, në një nivel që reflekton vendimmarrjen të këtyre institucioneve të rëndësishme, që i drejtojnë Forcat e Armatosura. Kemi një çarje të fortë midis drejtimit politik dhe nivelit ushtarak të drejtimit. Pra kemi një çarje të fortë mes ministrit të Mbrojtjes me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe një çarje akoma më të madhe midis Presidentit të Republikës dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.Dhe duhet të shqetësojë cilindo, për më tepër kur Shqipëria apo Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë pjesë e aleancës Veri Atlantike”, tha Braçe.
Në rast se do të kishte ndodhur gjetkë, sipas Erjon Braçes, do të kishte reagim shumë më të fortë, pasi ky nuk është një rast i izoluar.
“është ngjarja e Gërdecit kur ne patëm një çarje shumë të fortë në vendimmarrje midis po prap mes nivelit politik dhe nivelit ushtarak, ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të cilin jo vetëm që nuk e dëgjonte kush, por gjeti derë tjetër për të trokitur dhe për t’u ankuar për atë vendimmarrje që prodhoi atë tragjedi dramatike shumë të madhe e me shumë viktima, atje në Gërdec”, tha Braçe.
Braçe risjell në vëmendje edhe një tjetër aferë të ngjashme.
“Ka patur edhe një rast të ngjashëm të hetuar prej nesh në Parlament, si deputetë të opozitës të asaj periudhe, siç ishte rasti një tjetër aseti me vlerë, që ishte territori i Klubit Sportiv “Partizani” edhe ai reflektoi çarje në vendimmarrje. Po t’u referohesh dokumentave të asaj kohe vëren qartë që niveli ushtarak i drejtimit të FA ka qenë kundër nivelit politik të vendimmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes së asaj periudhe, e cila rezultoi një aferë shumë e madhe korruptive në favore po përsëri të familjeve në pushtet në atë kohë”, tha Braçe.
Sipas Erjon Braçes ka dyshime ende të pa faktuara kjo si pasojë e një qeverie hermetike në ikje, që sygjerojnë se luhen interesa shumë të mëdha për atë godinë, ku është akuzuar drejtpërdrejt Presidenti i Republikës, i cili, megjithëse kanë kaluar 7 ditë nga artikulimi këtyre akuzave, vijon të heshtë.
“Nëse provohet që në atë godinë ka interesa ashtu siç provohet që mbi atë godinë ka interesa të tjera biznesi të parashikuara në planin urbanistik të Tiranës atëherë më lejoni t’ju them se hetimi duhet të jetë më i gjerë se sa aq dhe hetimi duhet të shkojë deri në verifikimin e rastit të konfliktit të interesit dhe korrupsionit në vendimmarrje të niveleve më të larta të drejtimit të shtetit shqiptar, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Qeverinë, ministrinë e Mbrojtjes dhe natyrisht edhe Bashkinë e Tiranës”, tha Braçe.
Top Channel