
Pas protestave të shumë ushtarakëve kundër vendimit për dhënien e
SHQUP-it Partisë Demokraitike, Kryeministri Sali Berisha i ka kërcënuar
ata me heqjen e Statusit të Ushtarakut.
“Se dolën më në protestë në shkelje të statusit, një nga një do të humbasin statusin. Po! Ata i ikën statusit dhe të marrin pensionin si qytetar pastaj. Se kanë një status u jepet një pension më i veçantë”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek vendimi i bërë publik nga Top Channel, për kalimin e godinës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në pronësi të Partisë Demokratike, Kryeministri nuk e ka cilësuar atë një fshehje të vendimit. Sipas tij, vendimi nuk është publikuar, pasi ka ky vendim nuk mund të miratohej pa firmosur më parë Presidenti i Republikës.
Berisha më tej shtoi se SHQUP kishte humbur të gjitha funksionet e tij dhe për këtë arsye Qeveria ka investuar 140 milionë lekë në një godinë të re për ushtarakët. Ndërkaq, pas disa ditësh nga heqja, në hyrje të ndërtesës së SHQUP-it është rivendosur tabela e këtij institucioni.
Berisha: Dorëzoni projektet
Gjatë mbledhjes së radhës së Qeverisë, e cila është dhe ndër të fundit, Kryeministri Berisha urdhëroi ministrat e tij që pasardhësve t’u lihen në tavolinë dosjet dhe lista e të gjithë projekteve të miratuara nga kjo Qeveri.
“Jemi afër mbledhjeve më të fundit. Në mënyrën më të vendosur, kërkoj që pasardhësve tuaj do t’i lini në tavolinë listën e të gjitha projekteve në vazhdim. Për çdo projekt në vazhdim, në drejtorinë përkatëse duhet të jetë dosja, të cilën duhet ta keni kontrolluar. Në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet. Ndaj ju do të merrni me vete një kopje të dosjes dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse”, tha Berisha.
Berisha është ndalur dhe tek procesi i legalizimeve, duke deklaruar se do mbështesin prishjen e të gjithë ndërtimeve pa leje, por nuk do lejojnë prishjen e ndërtimeve me leje, pa kaluar më parë të gjithë procedurat e shpronësimit dhe dëmshpërblimit.
PD përshëndet vendimin për SHQUP
Partia Demokratike përshëndet vendimin për kalimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të kësaj force politike.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi e cilësoi vendimin si akt moral, demokratik e ligjor.
“PD pëshëndet vendimin për të dhënë godinën publike. Këto vendime janë marrë që prej 1990 edhe për parti të tjera përfshi dhe PS-në. Kjo godinë ka humbur funksionet dhe do t’i kthehet serioziteti. Do të modernizohet dhe funksionojë si institucion publik në shërbim të opozitës shqiptar”, tha zëdhënësja Vorpsi.
Në emër të PD-së, zëdhënësja ka akuzuar kryeministrin e ardhshëm Edi Rama se kërkon të minojë veprimtarinë e opozitës së re.
Top Channel