Një ekip i Kombeve të Bashkuara është gati të niset për në Siri, për të hetuar akuzat mbi përdorimin e armëve kimike gjatë luftës civile të përgjakshme, u bë e ditur nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, gjatë ditës së mërkurë.
Qeveria siriane ka pranuar “modalitetet themelore për bashkëpunim, për të siguruar sjelljen e duhur, të sigurt dhe efikase të këtij misioni”, tha një zëdhënës përmes një deklarate.
Siria është përfshirë në luftë për më shumë se 2 vjet, gjatë së cilës kanë vdekur mbi 100 mijë persona dhe miliona të tjerë janë shpërngulur apo janë kthyer në refugjatë nëpër vendet e tjera, sipas OKB-së.
Gjatë luftimeve ka pasur akuza të shumta mbi përdorimin e armëve kimike. Në qershor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad, kishin kaluar “vijën e kuqe” duke përdorur armët kimike, përfshi këtu edhe gazin sarin, kundër forcave rebele. Kjo bëri që qeveria e SHBA-ve të niste mbështetjen ushtarake ndaj luftëtarëve të opozitës, pavarësisht hezitimit fillestar të tyre për ta bërë diçka të tillë.
Qeveria e Sirisë, ndërkohë, ka akuzuar rebelët se kanë përdorur armë kimike gjithashtu. Këtu përfshihet edhe një incident i muajit mars, në Khan al-Asal, në provincën veriore të Aleppo-s, sipas medias shtetërore.
Zyrtarë të opozitës thanë se rebelët nuk kanë akses tek armët kimike apo raketat e nevojshme për t’i përdorur ato në një sulm, ndërsa disa liderë të tjerë të rebelëve thanë se ushtarët sirianë lëshuan “raketa kimike” ndaj civilëve dhe forcave opozitare.
Khan al-Asal do të jetë një nga 3 incidentet, që inspektorët e OKB-së do të kontrollojnë, siç bëri të ditur një nga zëdhënësit në fund të muajit korrik.
Kombet e Bashkuara thanë se udhëtimi i pashmangshëm mund të shërbejë si një pengesë për përdorimin e këtyre lloj armësh.
“Mbështetja e madhe e komunitetit ndërkombëtar për këtë hetim, e bën të qartë se përdorimi i armëve kimike nga cilado palë, nën cilëndo rrethanë, do të përbëjë një krim mizor”, bëri të ditur OKB.
Top Channel