Rikthehen tensionet Japoni-Kinë

15/08/2013 21:00

Dy ministra japonezë dhe disa dhjetëra deputetë vizituan tempullin e Yusukunit, një akt i cili pritet të rikthejë tensionet midis Tokios dhe fqinjëve.

Kryeministri Shinzo Abe dërgoi një buqetë me lule, në tempullin që përkujton të rënët japonezë në luftë, midis të cilëve edhe disa të konsideruar kriminelë lufte të Luftës së Dytës Botërore.

Lëvizja e tij kishte si qëllim shmangien e tensioneve me vendet fqinje, por Kina reagoi menjëherë, duke thirrur ambasadorin japonez në Pekin për t’i paraqitur atij një notë zyrtare proteste.

Ministria e Jashtme Kineze deklaroi se “kjo vizitë e përfaqësuesve të shtetit fyen rëndë ndienjat kombëtare të popullit kinez”.

Mbi 20 milionë kinezë humbën jetën gjatë pushtimit japonez të Luftës së Dytë Botërore dhe ushtria perandorake e atyre viteve është pranuar përgjegjëse për disa prej masakrave më të përbinshme të ndodhura ndonjëherë.

Në një prej akteve barbare më famëkeqe, në masakrën e Nankingut, 250 mijë deri një milionë kinezë u ekzekutuan në mënyre makabre prej ushtarëve japonezë.

Korea e Veriut gjithashtu reagoi nëpërmjet agjensisë së saj zyrtare të lajmeve, duke e konsideruar këtë një “akt të imperalizimit dhe kolonializmit të rrënjosur në kulturën e Japonisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA