Bradley Manning, spiuni i dënuar tashmë i ushtrisë amerikane, pranoi ditën e mërkurë se me veprimin e tij, duke nxjerrë dhjetra mijëra faqe dokumentesh të klasifikuara, ai “dëmtoi popullin dhe Shtetet e Bashkuara”.
“E kam kuptuar se ajo që bëra ishte e gabuar, por nuk i vlerësova pasojat e gjera, që do të kishin veprimet e mia”, tha ai gjatë seancës dëgjimore në Fort Meade të Maryland-it. “Doja t’i ndihmoja njerëzit, jo t’i dëmtoja ata”.
Ish-analisti i inteligjencës së ushtrisë u dënua për vjedhjen dhe shpërndarjen e 750 mijë faqeve të dokumenteve të klasifikuara, por edhe videove drejt Wikileaks. Akuzat ndaj tij përfshinin shkelje të Aktit të Spiunazhit.
Ai u shpall fajtor për 20 nga 22 akuzat ndaj tij, ndaj dhe mund të ndëshkohet me 90 vjet burgim, nëse gjykata jep dënimin maksimal.
Por, kolonele Denise Lind, gjykatëse e kësaj çështjeje, ka treguar tashmë se nuk është e prirur ta dënojë atë maksimalisht. Pasi e shpalli atë jo fajtor për akuzën më të rëndë ndaj tij, “ndihmën ndaj armikut”, dhe pasi dha vendimin, ajo i dha një mocion mbrojtës, që uli ndëshkimin maksimal për të nga 136 vjet burgim në 90 vjet.
“Në momentin e vendimeve të mia, kisha të bëja me shumë çështje”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ishte një kërkesë faljeje për atë që bëri. Manning i tha gjykatëses se ai e pranon, që duhet të paguajë një çmim për çfarë bëri.
Top Channel