Lindje e Mesme, paqja duket e vështirë

15/08/2013 01:55

Përse arritja e një marrëveshje mes izraelitëve dhe palestinezëve duket e vështirë?

Sepse palestinezët janë të ndarë politikisht, mes Fatahut, që ndodhet në Bregun Perëndimor, dhe lëvizjes islamike HAMAS, që kontrollon Rripin e Gazës prej 2007, dhe ky i fundit i kundërshton bisedimet.

Disa grupe palestineze, siç është Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, kanë zhvilluar protesta kundër bisedimeve për paqen.

Por, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, përballet me sfida të brendshme. Pavarësisht mbështetjes së publikut, disa partnerë në koalicionin qeverisës, si Partia e Shtëpisë së Hebraikëve, apo anëtarë të partisë së tij Likud, kundërshtojnë krijimin e një shteti palestinez.

Veç këtyre situatave të brendshme, duket se ka humnera mes palestinezëve dhe izraelitëve. Jeruzalemi Lindor është një prej tyre. Palestinezët kërkojnë të jetë kryeqendra e shtetit të tyre, ide që kundërshtohet nga disa prej partive në kabinetin izraelit, sipas të cilave, Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i pandarë i Izraelit.

Qeveria izraelite do të këmbëngulë për të ruajtur vendbanimet në Bregun Perëndimor, apo Jeruzalemin Lindor, në paktin përfundimtar.

Në marrëveshjen e 1993-shit, në Oslo, u krijua Autoriteti Palestinez, një organizëm i brendshëm, dhe u kërkua tërheqja e trupave izraelite nga pjesë të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.

Por, vrasja e ish-kryeministrit Jitcak Rabin, në vitin 1995, e la pezull procesin. Qeveritë e ardhshme izraelite vazhduan me tërheqjet nga territoret e pushtuara dhe nënshkruan marrëveshje ekonomike, por pa i dhënë fund konfliktit.

Në shtator të vitit 2008, të dy palët ishin shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje mes kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, dhe presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz.

Por dhe ky raund nuk shënoi rezultate. Olmert dha dorëheqjen i akuzuar për korrupsion dhe Abaz kundërshtoi ofertën e Izraelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA