Fidel Castro: Jam i surprizuar nga mbijetesa

15/08/2013 04:00

Ish-lideri kubanez, Fidel Castro, ka thënë se vendosi të tërhiqej dhe ta transferonte pushtetin e tij te vëllai i tij më i ri, Raul Castro, për shkak se u diagnostikua me një sëmundje vdekjeprurëse në 2006-n.

Në një artikull të publikuar për të shënuar 87-vjetorin e tij, Fidel Castro deklaroi se nuk e priste t’i mbijetonte sëmundjes së stomakut dhe të jetonte kaq gjatë. “Nuk mund ta imagjinoja se jeta ime do të zgjaste edhe 7 vite të tjera”. Castro kishte qenë në pushtet, që prej Revolucionit kubanez në 1959-n.

Artikulli i gjatë u publikua vetëm nga gazeta zyrtare Granma, të mërkurën, një ditë pas përvjetorit të tij të lindjes. Castro u largua nga zyra për trajtime mjekësore në 2006-n, por formalisht hoqi dorë nga roli i kryekomandantit dhe presidentit të Kubës në shkurt 2008.

“Sapo kuptova se do të ishte diçka përfundimtare, nuk hezitova të pushoja akuzat ndaj meje si president”, ka thënë ai në këtë artikull.

Castro zbuloi gjithashtu se Kuba ka marrë armë nga Korea e Veriut në fillimet e viteve 1980. Dërgesa e armëve koreano-veriore u bë pasi lideri sovietik, Yuri Andropov, paralajmëroi se vendi i tij nuk ishte më i përgatitur për të bërë përparime në mbrojtjen e ishullit komunist.

“Ai na tha se, nëse do të sulmoheshim nga Shtetet e Bashkuara, ne do të duhej të luftonim të vetëm”, shkruan Castro. Bashkimi Sovietik rinovoi gjithsesi angazhimin e tij për të vazhduar dërgimin e armëve në ishull.

Por, Kuba vendosi të mblidhte armë nga “miq të tjerë”, për të armatosur “1 milion luftëtarë kubanezë”.

Partneri Kim Il Sung, një veteran dhe ushtar ekzemplar, na dërgoi neve 100 mijë automatikë AK dhe municionet shoqëruese, pa na kërkuar parà”, shkruan më tej Castro. Lideri i Koresë së Veriut, i cili u pasua nga djali i tij, ndërroi jetë në 1994.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA