Në kohën kur kryetarët ilegalë të komunave në veri të Kosoës, të cilët po e lënë të hapur edhe mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e serbëve, Sllobodan Petroviç, u bëri thirrje serbëve të asaj pjese që të dalin për të hedhur votën e tyre.
I pyetur për qëndrimet e tyre në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen nga shteti i Kosovës, zëvendëskryeministri Petroviç ka thënë se nuk dëshiron të komenton qëndrimet e tyre, por ka shtuar se demokracia lejon shprehjen e lirë të çdo qytetari.
Është e rëndësishme që të mos ushtrohet dhunë, pasi ka përvoja të tilla nga zgjedhjet e mëhershme, ka thënë ai në një intervistë për “Top-Channel”.
“Nuk do të komentoja qëndrimet e tyre, por demokracia lejon shprehjen e lirë të çdo qytetari. Nuk është e rëndësishmë që ata të mos dalin në zgjedhje, por është me rëndësi të mos ushtrohet dhunë dhe kërcënime për të tjerët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë, pasi kemi pasur përvoja të tilla në zgjedhjet e mëhershme. Megjithatë e kemi një fakt inkurajues pasi shteti i Serbisë zyrtarisht në mënyrë transparente dhe publikisht ka bërë thirrje që serbët të dalin në zgjedhje, i cili deri më tani ka bërë thirrje për bojkot”, deklaroi Petroviç, zevendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Kosovë.
Ndërkaq, në lidhje me shkrimet në mediat serbe se politikanët serbë nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, Petroviç ka thënë se beson që ky lajm do të jetë vetëm spekulim, sepse zgjedhjet, siç ka thënë ai në bazë të marrëveshjes në Bruksel janë shpallur për 3 nëntor.
Duke folur për deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, për një listë të përbashkët të partive serbe në këto zgjedhje, zëvendëskryeministri Petroviç ka kujtuar se ky nuk është një referendum, por janë zgjedhje lokale.
“Është me rëndësi të thuhet se ky nuk është referendum, por janë zgjedhje lokale dhe se është me rëndësi që qytetarët të kenë ftesën sa më të mirë politike. Po ashtu, është më rëndësi që të ketë më shumë pjesëmarrës në këto zgjedhje, jo vetëm një listë e përbashkët. Megjithatë, unë mendoj se një listë e tillë më tepër do të jetë një ide më tepër, sesa që do të realizohet në praktikë. Por, edhe nëse bëhet ajo listë kjo është demokraci. Ne si parti kemi ofertën tonë politike për qytetarët tanë”, shtoi Petroviç.
Sa i përket zgjedhjeve edhe në katër komunat në veri, Petrovic, i cili njëherësh është edhe kryetar i partisë më të madhe serbe në Kosovë, SLS-së, ka thënë se partia e tij, përveç komunave që ndodhen në pjesën tjetër të Kosovës, do të garojë për të fituar edhe postin e kryetarit të komunës veriore të Leposaviçit, ndërsa mbetet të vendoset për komunat tjera.
Petroviç, i cili poashtu drejton edhe Ministrinë e Pushtetit Lokal ka thënë se nuk pret që të ketë pjesëmarrje të lartë në zgjedhje, por ai shpreson që përqindja të jetë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara.
Top Channel