
Një shpërthim i fuqishëm i pasuar nga një zjarr ka ndodhur në një
nëndetëse indiane, të ankoruar në portin e Mumbait, ku si pasojë kanë
gjetur vdekjen disa anëtarë të ekuipazhit.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi ngjarjen, por kanë shprehur keqardhjen për personat që kanë humbur jetën. Më herët marina indiane deklaroi se 18 marinarë ishin bllokuar në bordin e nëndetëses.
Shpërthimi ndodhi pas mesnatës, me orën lokale, dhe zjarrfikësve iu deshën disa orë për të shuar flakët. Autoritetet deklaruan se mjeti lundrues, që funksionon me dizel, ka pësuar dëme të mëdha materiale.
Ende nuk dihet nëse marinarët e bllokuar janë viktimat e kësaj ngjarjeje, por një oficer i marinës tha për BBC se t’i mbijetosh një shpërthimi të atyre përmasave është e vështirë.
Disa marinarë të tjerë arritën të shpëtonin, ndërkohë që polumbarët janë ende në kërkim për trupat e kolegëve të tyre. Nëndetësja ka mbetur gjysmë e zhytur.
Pamje dramatike të transmetuara nga televizioni publik indian tregonin një top të madh zjarri që ndriçonte qiellin. Edhe tymi i lëshuar mund të shihej nga shumë zona të qytetit.
Një grup i posaçëm është ngritur për të hetuar shkaqet e ngjarjes, por autoritetet thanë për BBC se dyshojnë se bëhet fjalë për një gabim në ambjentet e mjetit lundrues dhe jo për ndonjë veprim të organizuar nga agjencitë e jashtme të spiunazhit.
Top Channel