Familja Saviç, nga fshati Suhodoll i Graçanicës, për 30 ditë do të behët me shtëpi të re. Financimin e shtëpisë prej 30 mijë eruosh po e mundëson qeveria e Kosovës.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç, së bashku me drejtorin e Zyrës për Komunitete të Kryeministrit, bënë inaugurimin, çka i bëri shumë të lumtur anëtarët e familjes serbe.

“Jam tejet i lumtur, bashkë me gjithë familjen time. Iu falënderoj nga zemra për këtë ndihmë kaq të rëndësishme. Jam familjar, kam fëmije dhe ka kohë që kam pasur nevojë për ndihmë. Unë jam i papunë. Jetoj vetëm me pensionin e Serbisë. Po të më sigurohej ndonjë vend pune nuk do të zgjidhja. Çfarëdo qoftë, dua vetëm të punoj”, thotë kryetari i familjes Saviç.

Ky qytetar serb thotë gjithashtu se do të dalë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Ai shpreson se nga zgjedhjet që pritet të mbahen do të ketë perspektivë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Ndërkohë, ministri serb për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç, i cili vjen nga SLS, partia më e madhe serbe në Kosovë, thotë se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara.

“Besoj që më tre nëntor zgjedhjet do të jenë të suksesshme dhe se në shumicë serbët do të dalin të votojnë. Në këtë mënyrë edhe në 4 vitet e ardhshme do të kemi të zgjedhurit tanë.

I vetmi qëllim kur bëhet fjalë për pakicën serbe është që të mbrohen të drejtat e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës. SLS i ka qëllimet e saj të qarta, ne e kemi thënë gjithnjë që është mënyra e vetme që t’i mbrojmë të drejtat tona brenda institucioneve qeverisësë, bazuar kjo në zgjedhje legjitime.

Kjo politikë ndiqet jo vetëm në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel, por tani edhe nga ata që dikur ishin kundër. Kështu që edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithëve të dalin masivisht në zgjedhje dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre”, deklaroi Jevtiç.

Më tej ministri Jevtiç ritheksoi se, do të duhej që të gjithë serbëve që kanë qenë banorë të Kosovës para 1999 t’u jepet e drejta e votës.

Top Channel