Rusi, kirurgu vjedh heroinën nga stomaku i pacientit

14/08/2013 02:20

Policia në Rusi ka arrestuar një kirurg, i cili dyshohet se ka vjedhur heroinën, që ai vet kishte hequr nga stomaku i një korrieri droge në Krasnoyarsk të Siberisë.

Oficerët, të cilët kontrolluan dozat e drogës të marra nga korrieri, panë se njëra kishte humbur dhe nisën kërkimet.

5 gramë drogë u gjetën në veshjet e kirurgut, i cili u gjet në një gjendje intoksikimi prej narkotikëve, bëri të ditur policia. I dyshuari tha për policinë se nuk do të bënte asnjë koment pa pasur avokat.

Kirurgu, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua në Bogotol, një krahinë rreth 3 km në lindje të Moskës. Atij i rëndojnë dy akuza: njëra për blerje dhe zotërim të sasive të mëdha të drogës, tjetra për vjedhjen e një sasie të madhe droge. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 15 vjet burgim.

Në 2009, Rusia bëri të ditur se është bërë shteti më i madh në botë konsumues i heroinës. Doza të lira të kësaj lënde narkotike hyjnë në vend nga Afganistani, nga toka përmes republikave të Azisë Qendrore, ose nga ajri.

Video e policisë tregon spitalin ku “krimi” ndodhi dhe gjithashtu të dyshuarin të vetmuar në paraburgim.

Vladimir Yourchenko, sekretari për shtyp i policisë në rajonin e Krasnoyarsk, tha se drama nisi kur një pasagjer në bordin e një treni, nga Krasnoyarsk drejt Bogotol, nisi të ndiente probleme shëndetësore.

Pasagjeri, shtetas i një prej ish-republikave sovietike, sipas policisë kishte disa doza heroine në stomakun e tij. Pasi e nxorrën nga treni, e çuan në një spital të distriktit, ku u krye edhe operacioni për të nxjerrë dozat.

Më pas, policia mori informacione se kirurgu kishte marrë një dozë për veten e tij, konfirmon Yourchenko. Ai shtoi se i dyshuari është hetuar edhe për posedim drogash të paligjshme në të kaluarën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA