Presidenti Marcon ashpërson kufizimet ndaj protestave në Francë, fajëson të majtën radikale për trazirat Në Jeruzalem pritet të rifillojnë, pas tre vjetësh ndërprerje, bisedimet
për paqen mes Izraelit dhe Palestinës. Pak detaje janë publikuar për
vendin e saktë, kohën apo axhendën e bisedimeve, me të dyja palët që
tregohen tej mase të rezervuara.
Gjatë natës Izraeli liroi 26 të burgosur palestinezë si pjesë e marrëveshjes për rifillimin e negociatave. Megjithatë, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor vazhdojnë të errësojnë premisat për këtë rifillim.
Çështja u bllokua në shtator të vitit 2010 dhe që atëherë autoritetet palestineze kanë akuzuar vazhdimisht Izraelin për përpjekje për të sabotuar procesin. Në ditët e fundit, Izraeli ka njoftuar planet për ndërtimin e rreth 2 mijë vendbanimeve të reja.
Zyrtari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Abed Rabbo deklaroi se ekspansioni i vendbanimeve ishte i “papreçedent”. “Bisedimet mund të dështojnë në çdo moment për shkak të praktikave të aplikuara nga Izraeli”, tha ai për radion “Zëri i Palestinës”.
Skepticizëm për ecurinë e procesit ka pasur edhe nga vetë pala izraelite. Gazeta “Jerusalem Post” shkruante të mërkurën për pritshmëri “jashtëzakonisht të ulëta” nga bisedimet e fundit.
Gazeta citonte ministrin e Mbrojtjes, Moshe Yaalon që tha: “Kemi 20 vjet që përpiqemi, që nga bisedimet e Oslos dhe 120 vjet konflikt. Skepticizmi në deklaratën time është i dukshëm, por kemi vendosur t’u japim një shans”.
Top Channel