Panama, inspektorë të OKB-së për armët

14/08/2013 00:10

Një muaj pasi autoritetet panameze kapën një anije koreano-veriore me pajisje ushtarake të fshehura në bord, inspektorët e OKB-së janë gati për t’i hedhur një sy ngarkesës. Inspektorët, të cilët mbërritën në portin Manzanillo të Panamasë mëngjesin e së martës, shkuan atje me kërkesë të qeverisë panameze.

Anija kishte nisur lundrimin nga Kuba, përfaqësues të së cilës pranuan se ishin zotërues të pajisjeve ushtarake që ishin ngarkuar në të, duke deklaruar se ato po dërgoheshin në Korenë e Veriut për riparime dhe për t’u rikthyer sërish më pas.

Për shkak të ndjekjes së programeve bërthamore, Korea e Veriut është ndaluar të importojë apo eksportojë pjesën më të madhe të armëve ushtarake, nga Kombet e Bashkuara. Për këtë arsye, qeveria e Panamasë ftoi inspektorët dhe deklaroi se do ta linte në dorë të Kombeve të Bashkuara për të vendosur se si do t’i përgjigjeshin këtij incidenti.

Ministria panameze e Sigurisë njoftoi se inspektorët e OKB-së nuk do të bëjnë komente publike përpara apo gjatë inspektimit të tyre, por një raport do të lëshohet në një datë të mëvonshme. Inspektimi pritet të mbyllet të premten e ardhshme.

Anija u ndal më 15 korrik dhe autoritetet panameze u përballën me rezistencën e ekuipazhit. Anëtarët e tij prenë edhe kabllot e vinçave, për të ngadalësuar procesin e kërkimit në anije. Ndërkohë, kapiteni i anijes tentoi edhe të vetëvritej gjatë këtij kërkimi.

Pajisjet, të prodhuara në mesin e shekullit të 20-të, përfshinin 2 sisteme raketash kundërajrore, 9 raketa të ndara në pjesë, 2 avionë MiG-21 dhe 15 motorrë për këto lloj avionësh, siç bëri të ditur Ministria e Jashtme kubaneze.

Kapiteni dhe 35 anëtarët koreano-veriorë të ekuipazhit janë akuzuar me akuzën e zotërimit të jashtëligjshëm të armëve dhe trafikimin ndërkombëtar të tyre, njoftojnë zyrtarë panamezë.

Top Channel