Njësia për hetimin e trafikimit të qënieve njerëzore, rreth orës 11:00 të së mërkurës në rajonin e Prizrenit ka realizuar një operacion policor me ç’rast ka arrestuar pesë persona, 3 meshkuj dhe 2 femra, me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”.

Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë të Kosovës. Ky operacion policor është realizuar bazuar në informacionet që zyrtarët kishin arritur t’i siguronin më herët përmes rrugëve taktiko-operative gjatë hetimit të aktivitetit të këtij grupi kriminal, njofton zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Bazuar në hetimet preliminare, personat e dyshuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin mundësuar zhvillimin e prostitucionit, duke shfrytëzuar një shtëpi dhe një lokal që dyshohet se janë në pronësinë e tyre.

Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer me autorizim të prokurorit përkatës dhe ndaj dy personave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa tre të tjerët janë dërguar në gjykatë për proçedurë të mëtejshme.

Top Channel