Korea e Veriut dhe ajo e Jugut arritën një marrëveshje mbi rifillimin e procesit të punës në zonën e përbashkët industriale të Kaesongut.
E vendosur në krahun koreanoverior të kufirit, kjo zonë industriale është shumë e rëndësishme për ekonominë e dy vendeve, duke i ofruar një krah tepër të lirë pune kompanive shumëkombëshe të Jugut dhe një burim unik valute e tatimi të biznesit privat, autoriteteve komuniste të Penianit.
Megjithatë, pas provave raketore dhe bërthamore në muajin shkurt e prill në Korenë e Veriut, Kaesongu mbeti i mbyllur, si shenjë e përshkallëzimit të tensioneve që çuan regjimin diktatorial të Veriut të kërcënonte me luftë fqinjët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rihapja e Kaesongut është debatuar që prej disa muajsh, por kishte rezultuar e vështirë që të gjendej një marrëveshje.
Arritja e një akordi, të shpallur ditën e mërkurë nga Ministria Koreanojugore e Ribashkimit përbën një hap pozitiv dhe një shenjë të qartë të përmirësimit të klimës së rënduar në rajon.
Top Channel