Talebanët kanë marrë peng një deputete të Parlamentit afgan, teksa ajo dhe fëmijët e saj ishin duke udhëtuar në një zonë rurale në jug të kryeqytetit Kabul, bënë të ditur autoritetet.
Policia njoftoi se Fariba Ahmadi Kakar u rrëmbye nga njerëz të armatosur, ndërkohë që udhëtonte në provincën qendrore të Ghazni-t, së bashku me 3 vajzat e saj. Kjo është hera e parë, që një deputete rrëmbehet nga kryengritësit.
Policia shtoi se pengmarrësit kanë kërkuar lirimin e 4 të burgosurve talebanë, në këmbim të zonjës Kakar. Fëmijët e saj u liruan më vonë, pas një operacionit ku u përfshinë forcat e NATO-s dhe inteligjenca afgane, por ajo besohet të mbahet në një vendndodhje tjetër.
Rrëmbimi shënon një moment historik në sulmet e dhunshme kundër grave në Afganistan.
Ndërkohë që trupat ushtarake të NATO-s po përgatiten për të lënë vendin në fund të vitit të ardhshëm, ka ende shqetësime reale se disa liri të kufizuara të fituara nga gratë afgane po ekspozohen.
Pikërisht muajin e kaluar, kryepolicja femër në provincën jugore të Helmand-it u qëllua për vdekje, gjatë rrugës për në punë.
Ndërsa javën e kaluar, senatorja afgane Rooh Gul dhe i shoqi i mbijetuan një sulmi në Ghazni, por vajza e tyre mbeti e vdekur.
Top Channel