Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur një padi për bllokimin e kompanisë ajrore që është parashikuar të krijohet nga bashkimi mes ‘American Airlines’ dhe ‘US Airways’.
Marrëveshja prej 11 miliardë dollarësh, që do të formojë kompaninë ajrore më të madhe në botë, ishte mbështetur nga një gjykatë federale në mars dhe ishte aprovuar nga Bashkimi Evropian.
Por ankesa e DAD deklaron se konsumatorët do të përballen me një rritje të çmimeve pasi shkrirja mes dy kompanive do të zbusë konkurrencën në tregun e brendshëm.
Gjashtë shtete amerikane dhe Rajoni i Kolumbisë i janë bashkuar aksionit ligjor në fjalë. Mes shteteve në fjalë janë Teksasi, ku ndodhet dhe baza e ‘American Airlines’, Arizona, ku ndodhet baza e ‘US Airways’, Florida, Pensilvania, Tenesi dhe Virxhinia.
“Duke sfiduar këtë projekt, Departamenti i Drejtësisë thotë se qytetarët amerikanë meritojnë diçka më të mirë”, deklaroi sekretari i Drejtësisë, Eric Holder ditën e martë.
Sipas tij, ky transaksion do t’i detyrojë konsumatorët të paguajnë tarifa më të larta dhe do t’u kufizojë atyre mundësitë e zgjedhjes. Padia citon gjithashtu konkurrencën mes linjave ajrore në udhëtimet nonstop, që vlejnë rreth 2 miliardë dollarë në të ardhura vjetore.
Në një shembull të paraqitur nga DAD në këtë padi tregohet se si kompania që do të krijohet do të marrë nën kontroll 69 për qind të fluturimeve për jashtë nga aeroporti kombëtar i Uashingtonit dhe 63 për qind të udhëtimeve nonstop që do të nisen po nga ky aeroport.
Top Channel