Mugabe-rivalëve: Pranoni humbjen ose vetëvrituni!

13/08/2013 00:35

Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe, ka lëshuar një deklaratë “bombë” gjatë së hënës, duke i thënë Perëndimit dhe kundërshtarëve politikë të tij se “mund të vetëvriten”, nëse nuk pranojnë rizgjedhjen e tij në këtë post.

“Ata që nuk mund ta bluajnë dot humbjen, mund të vetëvriten. As qentë nuk nuhasin kufomat e tyre”, tha lideri 89-vjeçar, teksa drejtonte një ngjarje, për përkujtimin e veteranëve të luftës së Zimbabves për Pavarësi.

Kjo ishte deklarata e tij e parë publike, që kur Komisioni Elektoral i Zimbabves e deklaroi atë fitues të zgjedhjeve të 31 korrikut, me 61% të votave, ku mposhti kryeministrin Morgan Tsvangirai.

Lëvizja për Ndryshim Demokratik e Tsvangirai-t, sfidoi rezultatin e zgjedhjeve javën e kaluar, duke akuzuar KEZ se kishte manipuluar votat në favor të ZANU-PF, e kryesuar nga Mugabe.

“Ne nuk do të tërhiqemi nga fitorja jonë. Nuk e dimë se kush po tërhiqet”, tha Mugabe. Ndaj Perëndimit u drejtua: “ne po ofrojmë demokracinë në pjatë. Doni ta merrni?”, pyeti lideri më i vjetër afrikan. “Ne mund të themi vetëm merreni, ose lereni. Nuk do të tërhiqemi kurrë nga fitorja jonë”.

Në disa nga pankartat e të pranishmëve në këtë event lexohej: “Mjaft, pranojeni humbjen!”; “Obama, Zimbabve nuk do të jetë si Kili”; “Falemnderit Zimbabve, që mbron sovranitetin tonë!”; “Zimbabve nuk do të jetë sërish koloni!”.

Top Channel