Izraeli liron grupin e parë të të burgosurve

13/08/2013 23:30

Izraeli nisi lirimin e grupit të parë të të burgosurve palestinezë, gjatë mbrëmjes së të martës, një shenjë e vullnetit të mirë në prag të bisedimeve të reja për paqe, që u kompromentuan disi nga planet e Izraelit për ndërtime të reja në Jeruzalemin Lindor.

Disa fugonë janë parë të dilnin nga burgjet izraelite në Ramla, vetëm pak pas orës 10 të mbrëmjes, duke transportuar 26 të burgosur të liruar drejt vendeve të pritjes me valëvitje flamujsh në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, pritet t’i përshëndesë të burgosurit në Ramallah të Bregut Perëndimor. Disa prej palestinezëve kanë qenë të burgosur për mbi 20 vjet.

Por, menjëherë pas largimit të fugonëve, një grup demonstruesisht kanë tundën pankarta që dënonin lirimin e tyre, duke akuzuar se të burgosurit kanë lyer duart e tyre me gjak izraelit.

Gjatë aprovimit të vendimit për lirimin e tyre, një komitet i ministrave të Kabinetit izraelit theksoi se “nëse ndonjëri prej të burgosurve të liruar do t’i rikthehen aktiviteteve kriminale kundër shtetit izraelit, ata do të rikthehen për të vazhduar dënimet e tyre”.

Kjo lëvizje vjen pasi Izraeli bëri të ditur se do të vazhdojë përpara me një plan për ndërtimin e 900 njësive banimi në Jeruzalemin Lindor, që palestinezët shpresojnë ta kenë kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Çështja e blloqeve izraelite të banimit ndërpreu raundin e fundit të bisedimeve të drejtpërdrejta në 2010-n, ndërsa kritikët e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thanë se ndërtimet e reja në territore të diskutueshme mund të ndërpresin edhe bisedimet e reja, që priten të fillojnë të mërkurën në Jeruzalem.

“Netanyahu duhet të vendosë se cilën qeveri po kryeson: një qeveri që përpiqet të arrijë një marrëveshje paqeje, apo një qeveri që përpiqet të minojë të gjitha mundësitë e kësaj marrëveshjeje”, tha Shelly Yachimovich, kryetarja e Partisë Laburiste dhe liderja e opozitës izraelite.

Top Channel