Ekuadori: E drejta jonë t’i japim azil Snowden-it

13/08/2013 01:20

Ekuadori, një nga shtetet e vogla të Amerikës Jugore, e ka gjetur veten në qendër të një diskutimi ndërkombëtar.

Edward Snowden, ish-konsulenti i NSA-së i kthyer në një informator, i ka kërkuar presidentit Rafael Correa azil politik. Snowden është ende në Rusi, duke shmangur kështu një mandat-arresti të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara.

Një vit më parë, Ekuadori hapi dyert e ambasadës së tij në Londër, ndaj themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, në mënyrë që ky të shmangte gjyqin në Suedi si dhe ekstradimin e mundshëm në SHBA.

Presidenti i qendrës së majtë të Ekuadorit, Rafael Correa, tha se i njëjti proces ligjor do të aplikohet përpara ndonjë vendimi për çështjen “Snowden”. Ai kërkon të luftojë çdo lloj presioni ndërkombëtar, sidomos nga Washington-i.

Correa ka hequr dorë nga Promovimi i Tregtisë së Andeve dhe Akti i Shfarrosjes së Drogave, mes Ekuadorit dhe SHBA-ve. Marrëveshja lejonte disa produkte ekuadoriane, si lulet dhe zarzavatet, të hynin në SHBA me tarifa të reduktuara importi.

Ekuadori thotë se Washington-i po përdor marrëveshjet tregtare, në përpjekje për të detyruar kombet amerikano-latine t’i nënshtrohen atyre.

Por, shumë veta në Ekuador nuk bien dakord me vendimin e qeverisë, pasi industria e luleve në Ekuador është një pjesë jetësore e sektorit të agrikulturës. Një tjetër problem është se dollari amerikan është monedha zyrtare e Ekuadorit, kështu që ky vend mbështetet në eksportet për të fituar parà e për t’i përdorur në vend.

Që kur Rafael Correa mori postin në 2007-n, marrëdhëniet e tij me Washington-in kanë qenë të tensionuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA