Egjipt, policia shpërndan marshimin pro-Morsit

13/08/2013 19:10

Policia egjiptiane ka përdorur gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat e mbështetësve të presidentit të burgosur Mohammed Morsi gjatë një marshimi në qendër të Kajros.

Mbështetësit e Morsit u mblodhën përpara selisë së qeverisë për të protestuar kundër caktimit të disa oficerëve të lartë ushtarakë si guvernatorë.

Banorët më pas u përleshën me protestuesit pro-Morsit dhe të dyja palët hodhën shishe dhe gurë ndaj njëra-tjetrës, para se forcat e sigurisë të ndërhynin.

Ushtria egjiptiane e rrëzoi zotin Morsi në korrik dhe vendosi në vend të tij një qeveri të përkohshme. Mbështetësit e Morsit, një lider islamik nga radhët e Vllazërisë Myslimane, refuzojnë të pranojnë qeverinë e re dhe insistojnë se ai duhet të rikthehet në detyrë.

Ata deklarojnë se ushtria rrëzoi një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se tani ajo po përpiqet të përforcojë pushtetin e saj.

Ndërkohë, kundërshtarët e zotit Morsi deklarojnë se ai përdori vitin e tij në pushtet për të çrrënjosur laicizmin dhe institucionet demokratike, në mënyrë që të rriste influencën e Islamit.

Përleshjet e së martës nisën kur turmat pro-Morsi marshuan në një zonë të Kajros ku ndodhen godina të shumta qeveritare dhe ku është e pranishme një pjesë e popullsisë që kundërshton lëvizjen Vllazëria Myslimane.

Protestuesit ishin të acaruar pasi të paktën 15 ish-oficerë u betuan si guvernatorë. Ata u përpoqën të hynin në kompleksin qeveritar, por u detyruan të tërhiqeshin dhe u përleshën me banorët dhe policinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA