Ndërsa ndërtimet pa leje në tarracat e pallateve kanë “mbirë” kudo nëpër Tiranë gjatë muajve të fundit, në Kinë u desh gjashtë vjet për të realizuar një shtesë, e cila më shumë se një ambient i thjeshtë banimi, është një vepër arti.
Një profesor kinez, me emrin Zhang Lin, ngriti disa tonë gurë dhe inerte deri në tarracën e një pallati të lartë në Pekin, për të ndërtuar një vilë personale, që ngjan si një shtëpi e ngritur në një shpellë.
Megjithatë, “vepra e artit” nuk i ka lënë aspak të impresionuar fqinjët, të cilëve u janë shfaqur të çara nëpër tavane dhe kanë frikë se e gjithë ndërtesa mund të shembet.
Në fakt, pallati nuk ishte projektuar asnjëherë për të mbajtur këtë peshë të shtuar dhe ende nuk dihet nëse autoritetet do të ndërhyjnë për të prishur shtesën e pazakontë.
Megjithatë, nuk ka dyshime se profesori, ka pasur një imagjinatë me të vërtetë të shfrenuar, në ndërtimin e banesës së tij të veçantë në kryeqytetin kinez.
Top Channel