Vdes krimineli nazist i luftës

12/08/2013 00:00

Një kriminel nazist lufte, Laszlo Csatary, ka vdekur teksa ishte në pritje të gjykimit, ka njoftuar avokati i tij.

Csatary, 98 vjeç nga Hungaria, ndërroi jetë në një spital të këtij vendi pasi vuante nga një numër problemesh shëndetësore, deklaroi Gabor Horvath.

Dikur ai kryesonte listën e kriminelëve nazistë më të kërkuar dhe dyshohet se ka ndihmuar në dërgimin e 15.700 hebrenjve në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai përballej me akuza që kishin të bënin me aktivitetet e tij gjatë luftës si në Hungari ashtu edhe në Sllovakinë fqinje.

Avokati Horvath deklaroi se klienti i tij vdiq mëngjesin e së shtunës. “Ai po mjekohej për një sërë problemesh shëndetësore, por vdiq për shkak të pneumonisë”, sqaroi avokati.

Csatari i ka mohuar gjithmonë akuzat ndaj tij, duke thënë se kishte qenë vetëm një ndërmjetës mes zyrtarëve hungarezë dhe atyre gjermanë dhe se nuk ishte përfshirë në krime lufte.

Ai u akuzua në qershor nga prokurorët hungarezë në lidhje me atë që e cilësonin si rolin e tij si shef i një kampi përqendrimi për hebrenjtë në Kosice, një qytet dikur pjesë e Hungarisë ndërsa tani e Sllovakisë.

Kosice, i njohur atëherë si Kasa, ishte kampi i parë i përqendrimit që u ngrit pasi Gjermania pushtoi Hungarinë në mars të vitit 1944.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB