Nigeri, 44 viktima në një xhami

12/08/2013 22:30

Të paktën 44 besimtarë janë qëlluar për vdekje në një xhami në veri-lindje të Nigerisë, sipas raportimeve të fundit.

Ngjarja ndodhi gjatë lutjes së mëngjesit të së dielës, edhe pse lajmi është bërë i ditur të hënën.

Sulmi ka ndodhur në Konduga të shtetit të Borno-s, 35 km nga kryeqyteti i këtij shteti, Maiduguri.

Ende nuk është e qartë se kush është përgjegjësi i këtyre vrasjeve, por grupi islamik Boko Haram ka vrarë me mijëra vetë në Nigerinë veriore, që prej 2009-s.

“Daily Post” e Nigerisë raportoi se 26 persona të tjerë janë dërguar në spitale për shkak të plagëve të marra në Maiduguri.

Një anëtar i grupeve civile tha për Associated Press se 4 prej viktimave, pjesëtarë të tyre, u vranë në momentin kur po i përgjigjeshin thirrjeve për ndihmë.

Nigeria deklaroi gjendjen e emergjencës në 3 shtete veri-lindore në maj, teksa nisi të luftonte kundër militantëve islamik.

Boko Haram kërkon të rrëzojë qeverinë nigeriane dhe të krijojë shtetin islamik në veri.

Top Channel