M. e Jashtme paguan dy sekretarë të përgjithshëm

12/08/2013 00:00

Ministria e Jashtme shqiptare aktualisht ka në detyrë dy sekretarë të
përgjithshëm, të cilët marrin pagë në këtë ministri për të njëjtën
detyrë dhe po kështu gëzojnë të njëjtat privilegje nga posti.

Burime brenda Ministrisë së Jashtme, bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se ky dublim i këtij pozicioni të rëndësishëm në këtë ministri ka ndodhur për shkak të faktit se ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka nxituar të emërojë në këtë pozicion ish-ambasadorin tonë në Itali, Llesh Kolën, në një kohë kur Gazmend Turdiu që e ka mbajtur këtë pozicion për një kohë të gjatë në këtë ministri, zyrtarisht ka marrë pushimet e verës dhe nuk është dorëhequr apo shkarkuar nga pozicioni.

Nuk dihet se mbi ç’bazë ligjore, ministri Bumçi ka emëruar një sekretar të ri të përgjithshëm, në një kohë kur Gazmend Turdiu de jure vijon ende të mbajë këtë detyrë në ministri. Burimet bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se Turdiu në muajin shtator do të nisë punë si përfaqësues i Shqipërisë në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me qendër në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës dhe aktualisht është duke kryer pushimet vjetore. Duket se ngutja e ministrit Bumçi për të emëruar një sekretar të ri të përgjithshëm, pavarësisht se Turdiu vijon të jetë në detyrë, duket se bëhet në kuadër të emërimeve të reja dhe gradimeve të shumta që janë ndërmarrë me shpejtësi muajt e fundit nga kjo ministri. Burimet bëjnë të ditur se me këto veprime, ministri Bumçi kërkon të provokojë shumicën sociale që pritet të marrë në fillim të shtatorit pushtetin, duke ripërtërirë të gjitha pozicionet në këtë ministri, pa i lënë mundësi ministrit të ri ta vijojë këtë proces.

Sekretarët

Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri, Gazmend Turdiu, në datën 1 gusht ka marrë pushimet verore dhe vetëm në muajin shtator do të nisë punë pranë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me qendër në Sarajevë si përfaqësues i Shqipërisë. Nisur nga kjo, Turdiu de jure vijon të jetë në këto momente sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie. Por në realitet, ministri Aldo Bumçi ka emëruar një tjetër sekretar të përgjithshëm dhe që është ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola. Nuk dihet mbi ç’konkurs është bërë ky emërim i ri në ministri, i cili ka ardhur në një kohë kur Turdiu vijon të jetë pjesë e organikës së kësaj ministrie. Më shumë sesa fakti se aktualisht dy diplomatë marrin pagë në Ministrinë e Jashtme për të njëjtin funksion dhe gëzojnë po kështu privilegjet që vijnë nga ai, ky veprim tregon jo seriozitet të diplomacisë shqiptare dhe po kështu të ministrit Bumçi.

Transparenca

Pavarësisht faktit se media javët e fundit ka akuzuar Ministrinë e Jashtme për emërime në diplomacinë shqiptare jashtë çdo kriteri dhe po kështu gradime jo në respekt të ligjit. Por, pavarësisht këtyre akuzave, kjo ministri nuk ka bërë publike asnjë listë të diplomatëve të saj jashtë vendit dhe po kështu të gradave që janë marrë muajt e fundit. Po kështu, të bën përshtypje fakti se në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme, përveç ministrit të Jashtëm, nuk prezantohet asnjë funksionar tjetër i kësaj ministrie të rëndësishme.

Top Channel