Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan ka botuar në Shtetet e Bashkuara një libër mbi veprimtarin e tij si drejtues i organizatës kryesore botërore.

Në librin në fjalë, “Një jetë në luftë dhe paqe”, Annan i kushton një pjesë të mirë luftës në Kosovë, ku flet për qëndrimet e disa prej vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit kundër ndërhyrjes ndaj forcave serbe.

Annan shkruan se e ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, edhe pa një “bekim” të Këshillit të Sigurimit, që është dhe organi ekzekutiv i OKB-së.

Ai thekson se, pavarësisht neutralitetit të tij si sekretar i përgjithshëm, e konsideronte jetike atë që e quan “ndërhyrjen e kirurgut për shpëtimin e jetës”.

“Fushata serbe para së gjithash kishte një qëllim të vetëm: të largonte dhe të vrsite sa më shumë shqiptarë të Kosovës”, thotë Annan në librin e tij.

Ai tregon më tej se: “Nga mesi i fushatës bombarduese të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, isha angazhuar për një rol diplomatik më aktiv të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, Shtetet e Bashkuara nuk e fshehën faktin se donin që OKB dhe unë të ishim sa më larg menaxhimit të konfliktit’.

Ish-sekretari i përgjithshëm rrëfen gjithashtu se, pas thirrjes që kishte bërë për ndaljen e fushatës serbe dhe për tërheqjen e trupave nga Kosova me kushtin e ndaljes së bombardimeve të NATO-s, kishte pasur reagime pozitive nga presidenti i atëhershëm francez Jacques Chirac dhe kancelari gjerman Gerhard Shroder, mirëpo sekretarja amerikan e Shtetit Albright dhe presidenti american Clinton patën hezitime lidhur me propozimin e tij.

Ndërkohë, gazeta “Christian Science Monitor” ka bërë këtë vlerësim për librin: “Për lexuesit që duan të identifikojnë heronjtë dhe kriminelët, libri ofron material të mjaftueshëm”.

Top Channel