
Ekonomia japoneze u zgjerua me një hap më të ngadaltë nga sa mendonin analistët në tremujorin e dytë të vitit.
Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 0.6 për qind në periudhën prill-qershor, duke treguar se rritja vjetore do të jetë 2.6 për qind, sipas shifrave të qeverisë.
Shifra në fjalë është shumë më poshtë se kuota vjetore prej 4.1 për qind në tre muajt e parë të vitit. Analistët prisnin që rritja të ishte 3.6%.
Kryeministri Shinzo Abe është përpjekur të rigjallërojë ekonominë pas disa vitesh në stanjacion. Politikat e tij, të njohura si “Abenomics”, përfshijnë injektimin e parave në ekonomi dhe rritjen e shpenzimeve qeveritare.
Deri tani këto lëvizje kanë ndihmuar në dobësimin e jenit dhe në nxitjen e eksporteve japoneze. Të dhënat e publikuara ditën e hënë nga Zyra e Kabinetit tregojnë se eksportet dhe shpenzimet publike kanë kontribuar kryesisht tek rritja.
Bëhet fjalë për tremujorin e tretë të ekspansionit të ekonomisë japoneze, por gjithësesi investimet e bizneseve kanë pësuar rënie.
“Rezultatet tregojnë se “Abenomics” ka pasur sukses në nxitjen e konsumatorit dhe rritjen e shpenzimeve, por i duhet ende të inkurajojë kompanitë që të shpenzojnë më shumë dhe të rrisin rrogat”, deklaron ekonomisti Takeshi Minami.
Top Channel