India prodhon aeroplanmbajtësen e saj të parë

12/08/2013 21:45

India përuroi aeroplanmbajtësen e saj të parë të ndërtuar vetë, në një port ushtarak në shtetin jugor të Keralës.

Gjigantja 37 mijë tonëshe “INS Vikrant” pritet të nisë stërvitjet ushtarake në vitin 2018, përpara se të përfshihet në shërbim të rregullt në marinë dy vjet më vonë.

Me këtë aeroplanmbajtëse, India i bashkohet një numri të kufizuar vendesh, në gjendje që të ndërtojnë dhe zotërojnë kapacitete të tilla ushtarake.

Vetëm katër vende të tjera janë në gjendje që të ndërtojnë vetë aeroplanmbajtëset e tyre për momentin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca.

Të hënën u realizua lëshimi i “INS Vikrant”-it në det. Me këtë, ka përfunduar faza e parë dhe më e rëndësishme e ndërtimit, ndërsa tani anijes do t’i duhet kohë që të kompletohet me teknologjinë dhe të gjithë armët në përdorimin e saj.

Top Channel