Përfaqësuesit e EULEX-it i dorëzuan të hënën Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës kopjet e vërtetuara të 1550 regjistrave amzë nga Serbia.

Sipas njoftimit të EULEX-it, tashmë janë dorëzuar dosjet e plota për dy komuna, Kamenica me 824 libra dhe Vitia me 726, që përbëhen prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinalë civilë dhe fetarë, me të dhëna për lindjet, martesat dhe vdekjet.

Sipas njoftimit, këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë dy muajve të kaluar si pjesë e një projekti me bazë në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë, Këshilli Danez për Refugjatë si partner për zbatim, si edhe ekipet nga Kosova dhe Serbia.

Vlerësohet se në Serbi ndodhen gjithësej rreth 12.000 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave origjinalë është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja, e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 6.320 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425), Podujevës (1066), Gjilanit (935), Kamenicës (824) dhe Vitisë (726)”, thuhet në një njoftim të misionit të BE-së.

Top Channel