Izraeli miratoi ndërtimin e 1200 vendbanimeve të reja hebraike, disa ditë përpara fillimit të bisedimeve të paqes.
Të dielën, ministri izraelit i Strehimit, Uri Ariel, konfirmoi se 793 apartamente do të ndërtohen në lindje të Jeruzalemit dhe 394 në Bregun Perëndimor.
“Asnjë vend në botë nuk merr urdhra nga një tjetër – tha ai, – se ku duhet të ndërtojë po jo. Ne do të vazhdojmë të promovojmë strehimin dhe të ndërtojmë në të gjithë vendin. Kjo është gjëja e duhur, në kohën e duhur për Zionizmin dhe për ekonominë”.
Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, i tha Reuters: “Nëse qeveria izraelite beson se, çdo javë duhet të kalojë vijën e kuqe me ndërtimin e venbanimeve, nëse vazhdon me këtë sjellje, ajo që po paralajmëron nuk është veçse paqëndrueshmëria e negociatave”.
Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, ka deklaruar më parë se “nuk do të nisë bisedimet e paqes, nëse nuk pezullohet ndërtimi i vendbanimeve izraelite, por u zbut pas ndërmjetësimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri.
Korrespondenti i BBC-së në Jeruzalem, Kevin Konolli, tha se deklarata e Izraelit ndoshta është një lëshim për mbështetësit e krahut të djathtë në qeveri.
Ishte pikërisht çështja e vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze, shkaku i ndalimit të bisedimeve të drejtpërdrejta mes palëve, në shtator të vitit 2010.
Rreth 500 mijë hebraikë jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuar prej vitit 1967, kur Izraeli pushtoi pjesë të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit Lindor.
Palestinezët kërkojnë, që shteti i tyre të shtrihet në këto zona, si dhe në Rripin e Gazës. Në bazë të ligjit ndërkombëtar, vendbanimet konsiderohen të paligjshme, megjithëse Izraeli e kundërshton me forcë.
Top Channel