Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën, është shprehur i pakënaqur rreth implementimit të marrëveshjës Kosovë-Serbi.

Sipas tij, duhet të punohet edhe më shumë në implementimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve dhe atë të 19 prillit, dhe se gjithçka, që është e lejueshme në Kushtetutën e Kosovës, duhet të jetë e pranueshme.

Duke pranuar se ka ngecje, sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë, kryeministri kosovar ka thënë se Beogradi ka ende dilema për ta pranuar marrëveshjen.

“Gjithçka është e qartësuar edhe në marrëveshjen për IBM-në, gjithashtu edhe në marrëveshjen e 19 prillit, për të gjitha aspektet teknike dhe profesionale, prandaj marrëveshjet tona janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe gjithçka, që është e lejueshme në kushtetutë, është edhe e pranueshme, por ajo që është shumë me rëndësi, është që të punohet edhe më tepër në implementim”, tha Thaçi.

Ai ka pranuar se ka ngecje edhe sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë, duke thënë se Beogradi ka ende dilema për ta pranuar marrëveshjen dhe se, sipas tij, nuk është hera e parë që Beogradi pretendon të zvarrisë procesin për impelementim.

“Besoj se Beogradi ende ka dilema për të pranuar marrëveshjen, për sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë, ndërsa sa i përket Prishtinës dhe Bashkimit Europian kjo çështje është mbyllur, kështu që shpresoj që në ditët e ardhshme edhe Beogradi do të bindet për të pranuar marrëveshjen, që është e standardit europian, është e nevojshme dhe e domosdoshme për të lëvizur përpara proceset”, shtoi Thaçi.

Kreu i qeverisë ka vlerësuar se është duke vazhduar implementimi në segmente të ndryshme dhe se, sipas tij, po krijohet gradualisht një ambient i pranueshëm për organizimin e zgjedhjeve në të gjithë territorin.

Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas kryeministrit Thaçi, hap një kapitull të ri të fillimit të ndërtimit të demokracisë, edhe në pjesën veriore të Kosovës, si dhe të investimeve në atë pjesë. Thaçi, këto komente, i bëri sot në Ferizaj, gjatë inspektimeve të punimeve në tri projekte të ndryshme në këtë komunë.

Top Channel